Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas gjatë konferencës me kryeministrin Edi Rama tha se e sheh 2030-ën si objektiv të arritshëm për anëtarësimin e vendit në BE.
“2030-ta është objektiv realist në rast se të gjithë do ndërmarrim hapat e duhura gjatë rrugës. Shqipëria me reformat e saj që duhet të vihen në zbatim, sidomos sundimi i ligjit që është një nga bazamentet e BE. Në rast se investuesit kanë besim tek sistemi juaj ligjor, është në të mirën e Shqipërisë sepse do investojnë në vend”- tha Kallas.
Ndërsa kryeministri Edi Rama tha se plani është që negociatat me BE-në të mbyllen brenda vitit 2027 dhe më pas periudha tjetër lidhet me dakordësimin e vendeve anëtare për të pranuar Shqipërinë si anëtaren më të re.
“Kemi një plan të dakordësuar me BE-në për të mbyllur negociatat në 2027-ën që do të thotë që nga ai moment komisioni i rekomandon vendeve anëtare anëtarësimin. Prandaj ajo që ne parashohim është një periudhë 2 vjecare ratifikimesh për të qenë realist që konkludon me 2030-ën në tryezën e BE. Kështu që plani është krejtësisht i qartë. Pjesa jonë është të përmbyllim negociatat me sukses deri në 2027-ën. Ambicia është që brenda vitit të hapim të gjithë kapitujt dhe në momentin që të gjitha këto bëhen realitet, nuk ka asnjë pengesë përderisa BE e ka hapur derën dhe për herë të parë mendoj unë prej shumë e shumë vitesh, është konkrete hyrja në BE. Natyrisht që kjo lidhet me punën tonë dhe puna jonë nuk duhet të ndërpritet për asnjë sekondë. Pasaporta e BE është rjedhojë e anëtarësimit”- u shpreh Rama duke u shprehur i bindur se PS do të vijojë punën në qeveri edhe pas 11 majit.
Kryediplomatja e BE u pyet mbi retorikën e përdorur nga Rama i cili shprehet vazhdimisht se anëtarësimin e vendit në union, e mundëson vetëm PS. Kallas tha se mjafton që qytetarët të përkrahin rrugëtimin e vendit drejt anëtarësmit dhe të kryhen reformat e domosdoshme, duke nënkuptuar se nuk ka rëndësi cila parti është në pushtet, në rast se përmbushen këto kushte.
“Unë vij nga një vend që e ka kryer rrugëtimin e vetë drejt BE. Është e qartë se ne këtë rrugëtim duhet bashkëpunimi i të gjitha palëve. Në Shqipëri e kanë dhënë përkrahjen e tyre për rrugëtimin e vendit në BE. Për këtë duhen reformat e vështira që kërkojnë mbështetjen e shoqërisë”- deklaroi zyrtarja.
Rama nga ana tjetër pati një kritikë për gazetarët lidhur me këtë pyetje, duke thënë se nuk ka sesi zyrtarët e BE-së ta thonë diçka të tillë për një parti të caktuar politike.
“BE nuk vendos kush fiton dhe kush humbet zgjedhjet në Shqipëri. Por ama ajo që unë them dhe përsëris, është se nuk ka një forcë tjetër që e kryen këtë mision. Nuk është BE që e përcakton edhe nëse e mendojnë nuk kanë për ta thënë ndonjëherë. Kjo është pyetje pa lidhje, por e kuptoj se është për konsum publik”- shtoi kryeministri. Versus.al








