Kryeministri Edi Rama gjatë komunikimit direkt që pati me komentuesit në rrjetet sociale, iu përgjigj pyetjes së bërë të njërit prej qytetarëve i cili e kritikonte për faktin se flitet ende për ujë në vitin 2025.
Rama tha se arsyeja përse flitet për ujë në këtë kohë është sepse ajo çfarë trashëguan ishin vetëm 4 zona që furnizoheshin 24 orë me ujë në ditë.
“Më hape një temë që më pëlqen shumë. Në vitin 2025 flasim për shumë gjëra dhe nëse nuk të pëlqen që flasim për ujin, të kujtoj se kjo nuk lidhet me ne. Sepse Shqipëria ujë 24 orë në 2013-ën, ka pasur vetëm në 4 zona. Sot ka në 43 zona urbane dhe në 98 zona rurale 24 orë ujë. Natyrisht që ka akoma zona të tjera ku duhet shkuar. As në kohën e komunizmit nuk ka pasur ujë 24 orë. Madje në shumë lagje jashtë Tiranës, uji ka qenë në një çezme në lagje. Të kesh një shtet me 24 orë ujë në gjithë territorin është të kesh një shtet më vete me gjithë këto investime”- tha Rama.
“Shumica e popullit shqiptar është mbas meje sepse populli nuk ka kohë të harxhojë që në pikë të sabahut duke jashtënxjerrë budallëqe të tilla”- shtoi kreu i qeverisë. Versus.al







