Gjatë një vizite në qytetin e Vlorës, Kryeministri Edi Rama ka prezantuar një sërë projektesh të mëdha infrastrukturore dhe zhvillimore, të cilat synojnë të kthejnë zonën në një pol të rëndësishëm ekonomik dhe turistik të vendit.
Në qendër të deklaratës së tij ishte Aeroporti i ri Ndërkombëtar i Vlorës, për të cilin ai tha se do të krijojë mbi 1000 vende pune, kryesisht për të rinjtë e zonës. Sipas Ramës, fluturimet pritet të nisin së shpejti, ndërsa aeroporti do të shërbejë jo vetëm për pasagjerë, por edhe për transportin e mallrave. Po ashtu, aty do të ndërtohet një qendër mirëmbajtjeje për avionët e kompanive më të mëdha europiane, duke e kthyer aeroportin në një nyje të rëndësishme teknike dhe logjistike.
Kryeministri njoftoi edhe ngritjen e një baze për formimin e specialistëve të aviacionit civil, çka pritet të hapë rrugë për zhvillimin e mëtejshëm të sektorit ajror në vend.
Në vijim, Rama foli për transformimin e Triportit në një port modern tregtar dhe për peshkimin, si dhe për ndërtimin e një prej porteve më të bukura të jahteve në të gjithë Mesdheun.
“Vlora është në prag të një rilindjeje të vërtetë ekonomike dhe turistike,” u shpreh ai, duke shtuar se ndërtimi i hoteleve të reja ka nisur dhe shumë shpejt do të mbërrijnë edhe markat më të njohura ndërkombëtare të hotelerisë, të cilat do ta pozicionojnë Vlorën si një nga destinacionet më të kërkuara në rajon.
"Në aeroportin e Vlorës do punësohen mbi 1000 njerëz, kryesisht djem dhe vajza të reja. Aeroporti nuk do ketë vetëm avionë pasagjerë, por do ketë edhe avionë të ngarkesave, që do të çojnë e sjellin mallra e pako të të gjitha përmasave, siç ndodh në të gjithë botën. Do ketë qendër për riparimin e mirëmbajtjen e avionëve të disa prej kompanive më të mëdha europiane. Shumë shpejt nisin fluturimet në Aeroportin e Vlorës. Këtu do jetë baza për aviacionin civil, që do formojë kuadrot e aviacionit civil. Vlora do ketë ndër portet më të bukura të jahteve në Mesdhe. Triporti do jetë port serioz për anijet që marrin dhe sjellin mallra si dhe për anijet e peshkimit. Hotelet kanë nisur t’i ngrihen. Në Vlorë do vijnë firmat më prestigjioze të hotelerisë. Bregdeti i Vlorës do bëhet ndër destinacionet më të kërkuara në Mesdhe", u shpreh Kryeministri. /Versus.al/








