Zëdhënësja e Partisë së Lirisë, Jasmira Memelli, ka reaguar ashpër në rrjetet sociale kundër Endrit dhe Eriol Braimllarit, të cilët i ka quajtur “palaço të regjimit” dhe i ka akuzuar për shkelje të ligjit dhe mashtrime të qëllimshme.
Në deklaratën e saj, Memelli thotë se Endrit Braimllari ka firmosur dokumente lobimi në emër të LSI-së gjatë viteve 2018–2019, të cilat – sipas saj – janë cilësuar të paligjshme nga SPAK. Ajo thekson se kjo periudhë përkon me kohën kur Ilir Meta ishte në detyrën e Presidentit të Republikës, dhe jo kryetar i partisë, duke hedhur poshtë çdo përpjekje për ta përfshirë Metën në këtë skemë.
Memelli e përshkruan Endrit Braimllarin si “xhepist ordiner”, duke e akuzuar për shpifje dhe manipulim të opinionit publik për të fshehur përgjegjësinë e tij në këtë çështje.
Në qëndrimin e saj, ajo ndalet edhe te Eriol Braimllari, të cilin e akuzon për lidhje të vazhdueshme me Adrian Shatkun, ndonëse ky i fundit ka pretenduar se e ka takuar vetëm një herë. Sipas saj, të dhënat zyrtare të sistemit TIMS, dëshmitarët dhe provat e tjera do të vërtetojnë të kundërtën e asaj që ka deklaruar Erioli publikisht.
Postimi i plotë:
Palaçoja në shërbim të regjimit, xhepisti Endrit Braimllari, firmëtari i lobimeve për LSI në periudhën 2018-2019, sipas vetë dokumentit zyrtar të SPAK, vazhdon me paturpësi shpifjet e pacipa, sikur lobimet janë kryer vetëm në kohën kur Z. Ilir Meta ka qenë kryetar partie.
Ky mashtrues ordiner i nivelit ZH, që duhet të mbajë përgjegjësi penale për firmat e hedhura pa teklif, vijon të gënjejë dhe shpifë botërisht duke e cilësuar të ligjshme firmën e tij për lobimet, që vetë SPAK e cilëson të paligjshme, për periudhën 2018-2019, kur çdo shqiptar, i madh dhe i vogël, e di shumë mirë që Ilir Meta ka ushtruar detyrën e rëndësishme shtetërore të Presidentit të Republikës dhe jo të kryetarit të LSI-së. I kujtojmë palaços, që mendonte se duke veshur kostum dhe kollare do mund të bëhej kryetar partie, që KURRË nuk ka për t’i shpëtuar NDËSHKIMIT LIGJOR për firmat dhe shkeljet që ka kryer. Gjithashtu u bëjmë thirrje të gjithë socialistëve të ndershëm të kenë kujdes nga ky xhepist ordiner, që dora nuk i lëviz vetëm për të hedhur firma të paligjshme, që të na kthejë financieren e partisë që na “rrëmbeu” ditën kur u konvertua në “rilindas”. Një përgjigje edhe për palaçon tjetër, kushëririn e tij, Eriol Braimllarin, që pretendon se e ka takuar vetëm 1 herë shqiptaro-amerikano-dibranin, Adrian Shatkun, në praninë e Z. Ilir Meta. E ftojmë Eriolin të kthjellohet dhe të kujtohet edhe 1 herë se na rezulton se e ka takuar mbi 100 herë Adrianin, se ai, njësoj si Endriti, mund ta ketë ves mashtrimin, por TIMS-si, dëshmitë dhe dëshmitarët okularë dhe provat autentike nuk gënjejnë KURRË! /Versus.al







