Universiteti i Tiranës (UT) dhe Dhoma e Avokatisë kanë reaguar për dhunën e ushtruar ndaj avokatit Sokol Mëngjesi ditën e sotme.
UT në deklaratën e saj shkruan se presin dhe besojnë që policia dhe prokuroria do të zbardhi sa më shpejt autorët dhe motivet e këtij sulmi kriminal dhe të rrezikshëm.
Deklarata e plotë e UT-së:
UT dënon sulmin ndaj pedagogut dhe avokatit Sokol Mëngjesi!
Universiteti i Tiranës dënon sulmin agresiv ndaj pedagogut të Fakultetit të Drejtësisë dhe avokatit Sokol Mëngjesi. Ne presim dhe besojmë që policia dhe prokuroria të zbardhi sa më shpejt autorët dhe motivet e këtij sulmi kriminal dhe të rrezikshëm.
Stafi i Universitetit të Tiranës është në këto momente pranë familjes së Sokol Mengjesit.
Urojmë shërim sa më të shpejtë të kolegut tonë Prof. Dr. Sokol Mëngjesi.
Ndërsa Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë ka shprehur shqetësimin e madh për dhunën që është ushtruar ndaj një anëtari të saj, siç është zoti Sokol Mëngjesi duke theksuar se ky nuk është një rast i izoluar.
Deklarata e plotë e Dhomës së Avokatisë:
Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë shpreh shqetësimin e thellë lidhur me dhunën e rëndë fizike të ushtruar mëngjesin e ditës së sotme ndaj avokatit Sokol Mëngjesi, anëtar i Dhomës së Avokatisë së Tiranës. Avokati është goditur disa herë në kokë me levë dhe për shkak të plagëve të marra është shtruar në spital.
Ky nuk është rast i izoluar i ushtrimit të dhunës fizike dhe psikologjike ndaj avokatëve në Shqipëri, duke rikujtuar aktin e fundit të paprecedentë të dhunës fizike dhe psikologjike ndaj një avokati në Dhomën e Avokatisë Lezhë në muajin prill të këtij viti.
Kërcënimi i avokatëve, sidomos për shkaqe që lidhen me ushtrimin e detyrës jo vetëm cenojnë rëndë misionin e avokatit në ushtrim të profesionit të tij, por krijojnë situata të vështira që duhen të vlerësohen maksimalisht.
Bazuar sa më sipër, Dhoma e Avokatëve të Shqipërisë i kërkon autoriteteve zyrtare të kryejnë një hetim të plotë dhe të pavarur brenda një kohe sa më të shkurtër lidhur me këtë ngjarje të rëndë.
Njëkohësisht garantojmë të gjithë avokatët në Republikën e Shqipërisë se Dhoma e Avokatisë e Shqipërisë do të jetë në krah të çdo avokati ndaj të cilit ushtrohet dhunë e çfarëdo lloji nga kushdo qoftë, pavarësisht se nga kush dirigjohet dhuna.
Shprehemi besimplotë se reagimi ynë do të shërbejë si kambanë alarmi për organet ligjzbatuese jo vetëm për këtë rast por edhe për raste te tjera që cenojnë sigurinë e jetës së avokatëve dhe të familjeve të tyre."







