Unpublished /

Barazia në letër, përjashtimi në praktikë: Gratë në politikën shqiptare

Shkruar nga Versus
Barazia në letër, përjashtimi në praktikë: Gratë
Foto ilustruese

Lusi Pergjergji– Gazetare, RTSH

Në sallat e konferencave të Tiranës, zërat e grave në politikë po bëhen gjithnjë e më të fortë.

Në panele të organizuara nga shoqëria civile, nga folëset e reja e deri tek deputetet me përvojë, diskutimi rreth rolit të grave në politikën shqiptare nuk është më thjesht për kuotat, por për pushtetin real dhe ndikimin e tyre në vendimmarrje.

Në aspektin ligjor, Shqipëria paraqet një pamje moderne dhe progresive.

Kuotat gjinore janë pjesë e Kodit Zgjedhor, Ligji për Barazinë Gjinore është në fuqi që nga viti 2008, dhe Kushtetuta njeh barazinë si një nga parimet themelore. Por në praktikë, të drejtat e garantuara shpesh mbeten në letër.

Gratë që hyjnë në politikë përballen me një sërë pengesash – që nga mungesa e hapësirave reale në listat zgjedhore, te përjashtimi nga vendimmarrjet strategjike.

Në shumë raste, ato vendosen në fund të listave, ose zëvendësohen pas zgjedhjeve nëpërmjet manovrave të paracaktuara partiake.

“Zyrtarisht jam pjesë e grupit parlamentar, por realisht jam në stol rezervë,” – rrëfen një deputete e re, që preferon të mbetet anonime.

Kuotat gjinore, megjithëse kanë kontribuar në rritjen numerike të përfaqësimit të grave, nuk kanë garantuar gjithmonë pjesëmarrje substanciale.

Mungon vullneti politik për të nxitur një përfshirje të qëndrueshme dhe të barabartë.

Në vend të meritokracisë, përzgjedhja shpesh bazohet në lidhje personale, lojalitet ndaj liderëve dhe kalkulime të brendshme.
Strukturat drejtuese në partitë kryesore vijojnë të dominohen nga burra.

Gratë janë ende të përjashtuara nga negociatat për koalicione, përcaktimi i listave dhe drejtimi i fushatave elektorale.

Madje, shpeshherë vëmendja mediatike fokusohet më shumë në pamjen e tyre sesa në përmbajtjen e qëndrimeve politike.

Megjithatë, ka një brez të ri grash që po sfidojnë këtë realitet. Në nivel lokal, ato po bëhen gjithnjë e më aktive në këshilla bashkiakë, në nisma komunitare dhe në platformat digjitale.

Rrjetet sociale kanë thyer barrierat tradicionale dhe u kanë ofruar një zë të drejtpërdrejtë.

“Kam hyrë në politikë për ta ndërtuar ndryshe nga brenda,” – thotë një këshilltare e re nga Fieri, e cila përmes një fushate në TikTok arriti të mobilizojë të rinjtë e komunitetit të saj.

Përfaqësimi i grave në politikë nuk është vetëm çështje barazie. Është një element kyç për funksionimin demokratik të një shoqërie. Një sistem politik që përjashton gjysmën e popullsisë nga vendimmarrja nuk është as funksional, as legjitim.

Ka ardhur koha për një ndryshim të thellë – jo vetëm në përbërjen numerike të institucioneve, por në kulturën politike që i rrethon ato.

Derisa gratë të kenë akses real në pushtet, dhe jo thjesht një vend simbolik në listat elektorale, Shqipëria do të mbetet një demokraci e paplotë.

Poll