Kryedemokrati Sali Berisha ka ironizuar deklaratën e bërë dje nga kryeministri Edi Rama i cili zbuloi sesi agjentë të BKH kishin shkuar më 20 nëntor në kryeministri të armatosur dhe fillimisht nuk kishin pranuar të linin armët.
Teksa doli nga SPAK ku zbatoi masën e detyrimit të paraqitjes, Berisha tha se Dumani kishte mbledhur BKH-në pas ngjarjes dhe u kishte lexuar urdhrin e Ramës për t’i çarmatosur dhe për të mbajtur “patllake dërrase”.
“Altin Troplini kishte mbledhur BKH-në dhe u lexonte urdhrin e fundit të Edi Ramës. Do të çarmatosen që të gjithë agjentët e BKH dhe do armatosen me patllake dërrase. Më patllake të vërteta nuk do ketë, se na e tmerruan kryeministrin. Dhe e kishte mbajtur të fshehtë 20 e ca ditë. Shkuarjen e agjentëve të BKH në kryeministri me patllake, Rama i tmerruar e mbajti të fshehtë 20 e ca ditë dhe e nxori të nesërmen e vendimit të Irenave të Kushtetueses. Të vendimit antikushtetues, antiligjor, të turpshëm, të paprecedent në historinë e Europës dhe botës për një vend me shtet ligjor.
Ai foli dje sepse pas vendimit të Kushtetueses mbyllet çdo mundësi e institucionit të hetimit, të hetojë ministra. Ai mori garanci të plotë për këtë, sepse në rast se nuk ka pezullim, imuniteti dhe arrestimin ai nuk e lejon kurrë siç e nuk e lejoi për Saimir Tahirin. Ajo masë e vetme që u kishte mbetur në duar, ishte pezullimi në rastin e ministrave dhe këtë pasi pariti Gjykatën Kushtetuese deri në tjegulla, e bllokoi një masë të tillë, një akt si ky nuk ka ndodhur kurrë. Qytetarët shqiptarë më datë 22 dhjetor do mblidhen në Tiranë për t’i dhënë përgjigjen më të merituar vendimit të Ramës”- u shpreh Berisha ndër të tjera. Versus.al


