
Alban Dokushi, drejtori juridik i bashkisë Tiranë dhe njëkohësisht Sekretar i Përgjithshëm i këtij institucioni, është paraqitur mesditën e sotme në SPAK.

Mësohet se Dokushi është rreth hetimeve që prokurorët e posaçëm po kryejnë mbi dosjen e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj i cili mbahet në paraburgim që prej datës 9 shkurt, kur edhe u arrestua. Në dalje ai ka deklaruar për mediat se e ka takuar kryebashkiakun me autorizimin e prokurorëve të posaçëm, duke lënë të kuptohet se marrja në pyetje e tij është bërë rreth përgjimeve që janë zhvilluar ndaj Veliajt në paraburgim.
Dokushi njihet si ndër njerëzve më të afërt të Veliajt, ndërsa ka qenë me të edhe më 6 dhjetor kur kryebashkiaku u paraqit në SPAK dhe u mor në pyetje për 5 orë lidhur me denoncimin e bërë nga Nesti Angoni.
Ndaj Veliajt rëndojnë akuzat për pastrim parash dhe korrupsion në 9 raste. Këtyre akuzave iu shtua edhe një tjetër dosje e SPAK, për të cilën prokurorët thanë se kanë përdorur përgjimet e siguruara në qelinë e kryebashkiakut, nga ku ky i fundit dyshohet se ka dhënë direktiva ndaj mediave për sulme ndaj prokurorëve që e hetojnë.
5 ditë më parë, pas dy seancave maratonë, Apeli i GJKKO la në fuqi masën “arrest me burg” për Veliajn, ndërsa ndryshoi masën për njërin prej biznesmenëve nën hetim, Elman Abulen për të cilin nga ‘arrest me burg’, caktoi ‘arrest shtëpie’. Versus.al







