
Në Gjykatën e Posaçme është zhvilluar sot seanca e radhës e dëshmive të të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani kundrejt të pandehurve të tjerë të arrestuar në kuadër të dosjes “Plumbi i Artë”.
Në seancën e sotme Nuredin Dumani rrëfeu se i shumëkërkuari Suel Çela e kishte nxjerrë në pritë në atentatin e ndodhur në Papër të Elbasanit, ku edhe mbeti i plagosur.
Sipas Dumanit, një gjë të tillë ia kishte komunikuar edhe vetë Suel Çelës pasi i ndodhi atentati dhe zbuloi gjithashtu se vendosi të bëhej i penduar i drejtësisë pasi “kishte hapur sytë”.
Nga ana tjetër, Fatos Gosa një prej të pandehurve për të cilin Dumani pretendon se e përdorte në rolin e informatorit lidhur me vrasjen e Andi Zylyfit, ka folur në gjykatë duke thënë se nuk e ka takuar kurrë vrasësin me pagesë.
“Unë jam kot këtu, le ta dëgjojnë të gjithë. Nuk kam asnjë lidhje. Nuk e kam takuar asnjëherë atë njeri. Dua vetëm drejtësi, asgjë tjetër. Nuk dua mëshirë”, ka deklaruar Gosa në sallën e gjyqit.
Pjesë nga seanca:
Avokati i Fatos Gosës: Keni thënë se do vrisnit Oltin? Pse nuk e vratë?
Dumani: Nuk e vrava sepse nuk ishte në Elbasan.
Avokati: Pse i jeni drejtuar Suel Çelës me fjalën “më vratë” ne Sky. Pse ja atribuon tentativën e vrasjes Suel Çelës?
Dumani: Mua më ka nxjerrë në pritë Sueli. Unë kam shkuar atë ditë në Elbasan bashkë me Henrik Hoxhën do të vrisnim Olti Kilën. Shkuam me dy makina, por ai s’ishte fare në Elbasan. Henriku komunikonte vazhdimisht me Suelin. Unë vetëm pas atentatit i kam shkruar. Më vonë nuk kam komunikuar më edhe pse ai e ka kërkuar një gjë të tillë. Do zbardhet Matriksi e do dalin.
Avokati: Pse e bëre marrëveshjen me prokurorinë?
Dumani: Sepse vetëm atëherë mu hapën sytë.
Avokati: Çfarë ju ka premtuar prokuroria për marrëveshjen e bashkëpunimit?
Dumani: Asgjë.
Avokati: Kur e njohe Talo Çelën dhe pse u prishën marrëdhëniet me të?
Dumani: Fundi i 2009 fillim 2010. Jam njohur nga Ilirjan Feçi. Ai ka urdhëruar Altin Ndocin të vrasë vëllain tim.
Avokati: Makina që u përdor në vrasjen e Andi Zylyfit ka ndenjur në garazhin tënd?
Dumani: Po ka qëndruar. Makinën e kishte vjedhur më parë Altin Ndoci.
Avokati : A është përdorur në ngjarje tjetër?
Dumani: Po për një ngjarje tjetër në Spitallë. Porositës ishte Baca, Gim Kabashi.
Avokati: Keni pretenduar se Fatos Gosa ka qenë informator tek vrasja e Andi Zylyfit?
Dumani: Po ka qenë. E kam paguar.
Avokati: Si ju ka informuar Gosa?
Dumani: Me telefon të enkriptuar. Fliste Talo Çela me të. Versus.al







