Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në Korçë, ku një 29-vjeçar është plagosur me thikë nga dy persona ende të paidentifikuar.
Sipas informacioneve zyrtare nga Policia, rreth orës 17:10, i riu i identifikuar si Kostika Ruko është paraqitur në spital me plagë të shumta në bark dhe në krahë. Mjekët e kanë futur menjëherë në reanimacion, ku aktualisht po merr trajtim intensiv.
Në dëshminë e tij për policinë, Ruko ka deklaruar se është sulmuar nga dy persona të maskuar me kapuç, duke e bërë të pamundur identifikimin e tyre. Ndërkohë, grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë ka nisur punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe kapjen e autorëve.
Deklarata e Policisë:
“Rreth orës 17:10, shtetasi K.R., 29 vjeç, ka shkuar në spital për ndihmë mjekësore, dyshohet i dëmtuar me mjet prerës (thikë) nga dy shtetas ende të paidentifikuar. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorëve.”
Kjo ngjarje ka tronditur banorët e zonës, ndërsa ende nuk dihen motivet e sulmit, por autoritetet po shqyrtojnë të gjitha pistat e mundshme.
Ky është rasti i dytë brenda dy ditësh në Korçë. Vetëm një ditë më parë, një 26-vjeçar, Kostandin Ziu, u godit me thikë në qafë dhe ndodhet në koma në spitalin e Traumës në Tiranë. Policia ka shpallur në kërkim një 22-vjeçar si të dyshuar për këtë ngjarje. /Versus.al/







