
Prokurorët kanë kërkuar sot falje për lapsusin e bërë në dosjen ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliajt, ku ai paraqitej si person i dënuar.
Kjo e dhënë nuk ishte e vërtetë dhe u pranua si gabim nga vetë prokurorët gjatë seancës së kësaj të mërkurë.
Gjatë gjykimit, dy prokurorët e çështjes, Olsi Dado dhe Altin Dumani, sqaruan se bëhej fjalë vetëm për një lapsus teknik. Ky saktësim erdhi pasi në dosje, SPAK e prezantonte Veliajn si person të dënuar, por dokumenti zyrtar i gjendjes gjyqësore, i datës 11 shkurt 2025, tregonte të kundërtën: Veliaj nuk figuron i dënuar.
Seanca për caktimin e masës së sigurisë ndaj Veliajt nisi në orën 09:00, por u shty për në 13:00, meqë avokatët kërkuan të njihen me aktet hetimore. Gjatë nisjes së saj, prokurorët konfirmuan se informacioni mbi dënimin e Veliajt ishte një gabim i regjistrit elektronik.
Veliaj ndodhet në arrest pas urdhrit të SPAK, dhe kjo seancë do të jetë vendimtare për vijimin e procedurave ndaj tij./Versus.al







