Gazetarja Klodiana Lala e ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” ka dhënë detaje mbi dosjen e kryebashkiaku Erion Veliaj dhe linçimin që po i bën ky i fundit prokurorit të posaçëm Olsi Dado.
Lala tha se kryebashkiaku i arrestuar është përqendruar tashmë vetëm tek fyerjet ndaj prokurorit të SPAK duke mos pasur asnjë argument kundër arrestimit të tij.
"Veliaj pretendon se është linçuar dhe jemi marrë me të brendshmet e gruas së tij, kjo nuk është e vërtetë, ne kemi folur për dyshime për një skemë korrupsioni, që Veliaj ka firmosur tendera dhe leje ndërtimi për biznesmenët dhe ata kanë kaluar para ose favore nëpërmjet kompanive të Ajola Xoxës.
Zoti Veliaj, duke mos patur asnjë argument me sa kuptoj, e vetmja alternativë që i ka mbetur është të kërcënojë dhe hedhë akuza ndaj prokurorit të çështjes, njërit prej tyre, sepse me Dumanin nuk e ka bërë. Kjo është strategjia më e gabuar. Të gjithë ata që janë para drejtësisë dhe janë të dëshpëruar, nuk kanë argument për t’u mbrojtur, linçojnë gjyqtarët dhe prokurorët.
Veliaj kaloi nga “kolegët e mi” dhe thoshte SPAK të hetojë, sot ka kaluar në gjuhë linçuese dhe denigruese ndaj prokurorit. Nëse do të kishte Veliaj prova që kompromentojë Ols Dadon ti çonte në gjykatë, por i kanë mbetur vetëm fjalët “violinist i dështuar” e me rradhë", tha Lala.
Lidhur me paraqitjen në SPAK të biznesmenit Gentian Sula dhe nënës së Ajola Xoxës në të njëjtën ditë, Lala tha se strategjia e Prokurorisë së Posaçme ka qenë për të kuptuar nëse këta të fundit njiheshin më parë me njëri-tjetrin.
"Tani te provat, ka përpjekje të zonjës Xoxa, po bën kërkesa të panumërta për të rrëzuar të gjithë sekuestrimet që janë bërë. Po të shohësh në të gjithë kërkesat deri tani gjykata ka mbajtur qëndrimin që këto marrje provash kanë qenë të ligjshme.
Prokuroria po ndjek strategji interesante. Ftoi biznesmenin Gentian Sula dhe Valbona Xoxën, vjehrrën e Veliaj, por nuk dhanë shpjegime. Prokurorët për të provuar nëse njiheshin, bënë një veprim hetimor, i vunë përballë njëri tjetrit. Prokurorët po ndjekin strategji. Pra ata hynë 4-5 minuta në diferencë nga njëri tjetri. Komunikova me mbrojtësit ligjore dhe pranuan se nuk ka patur marrje në pyetje. Prokuroria po shkon përtej.
Veliaj pretendon se vila u përket vjehrrit dhe vjehrrës. Veliaj thotë kam qenë në fushatë. E para, janë kqyrur pamjet filmike kur Veliaj është në fushatë dhe rezultojnë qeliza të ndryshme nga ato që pulsojnë te kompleksi.
Janë parë pamjet filmike kur Veliaj është në fushatë, ai nuk ka qenë në praninë e bashkëshortes, ndërkohë telefonët në banesë pulsojnë njëherazi. Ka aq shumë detaje, sa janë prova të mjaftueshme, që këto janë të dhëna që kanë të bëjnë me faktin që cifti Veliaj-Xoxa e ka përfituar këtë vilë sepse ka favorizuar biznesmenin Gentian Sula", tha Lala. Versus.al







