Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesën e bërë nga kryebashkiaku i arrestuar, Erion Veliaj për kthimin e telefonit të sekuestruar. Mësohet se Veliajt, i është sekuestruar telefonin në momentin kur u arrestua me urdhër të SPAK.
Më herët gjykata ka rrëzuar edhe kërkesën e bërë nga Ajola Xoxa, bashkëshortja e Veliajt e cila gjithashtu ka kërkuar kthimin e sendeve personale dhe të telefonit të sekuestruar gjatë kontrolleve të ushtruara nga agjentët e BKH më 6 dhjetor të vitit të kaluar.
Kërkesa e Veliajt për kthimin e telefonit u shqyrtua nga gjyqtari i posaçëm Erjon Bani i cili është edhe gjyqtari i cili ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për kryebashkiakun.
Ky i fundit nuk i ka kursyer fyerjet dhe akuzat ndaj prokurorit që e hetoi Ols Dado dhe gjyqtarit Erjon Bani. Teksa pretendon se mbahet në arrest me burg padrejtësisht, Veliaj tha se Dado është në konflikt interesi dhe nuk mund ta hetojë për shkak se kohë më parë i ka kërkuar leje ndërtimi në Tiranë.
Mes të tjerash, ai publikoi ditë më parë edhe zbardhje të debateve gjatë seancës në GJKKO ku pretendonte se Dado e kishte ofenduar me fjalën “ndyrësirë”. Kjo solli reagimin e GJKKO e cila publikoi audion e seancës ku nuk dëgjohej në asnjë moment një fyerje e tillë nga ana e prokurorit. Versus.al







