
Shqyrtimi gjyqësor i datës 27 mars për rekursin e bërë nga Arbër Veliaj dhe Ajola Xoxa për kontrollet e bëra nga SPAK më 6 dhjetor të vitit të kaluar, është shtyrë sërish.
Sipas afishimit në faqen zyrtare të Gjykatës së Lartë, një prej 3 gjyqtarëve të caktuar në trupë, ka kërkuar largimin nga çështja për shkaqe papajtueshmërie. Në një reagim që morëm nga zyra për median në Gjykatën e Lartë, thuhet se nuk mund të bëhen të ditura detaje pasi ende nuk është marrë vendim nëse pranohet kërkesa e gjyqtarit ose jo.
“Është ende në shqyrtim, papajtueshmëria ose jo e një anëtari të trupës, në lidhje me çështjen. Derisa të vendoset, nuk mund të japim detaje, pasi është në proces vlerësimi nëse pranohet ose jo. Nuk mund të japim detaje, pasi nuk ka akoma vendimmarrje, nëse ka shkaqe apo ”, tha zyra për mediat në një reagim për Syri Tv.
Por kush ishin treshja gjyqësore që ishte caktuar të shqyrtonte këtë rekurs. Ilir Panda u caktua si relator dhe Albana Boksi e Medi Bici anëtarë, të cilët do duhej të shqyrtonin kërkesën në Dhomë Këshillimi. Mbetet e paqartë jo vetëm se kush është gjyqtari që kërkon të largohet nga çështja, por edhe arsyet mbi një kërkesë të tillë.
Disa ditë më parë, kur ishte denoncuar nga drejtuesi politik i Partisë Demokratike në Tiranë, Belind Këlliçi kërcënimi i gjyqtares së Apelit Ilirjana Olldashi, kjo e fundit nuk shqyrtoi një nga ankimet e Erion Veliajt, me argumentin se kishte problem shëndetësore, dhe vendimmarrja i kaloi gjyqtarit Engert Pullumbi i cili vendosi të rrëzonte ankimin për kontrollet dhe sekuestrimin e sendeve në Dhjetor duke i konsideruar të ligjshme.
Për këtë çështje reagoi Gjykata e Apelit e cila mohoi që gjyqtarja Olldashi të ishte kërcënuar, ndonëse mungesa e saj në gjyq vetëm sa shtoi polemikat. Më 11 mars, Apeli i GJKKO do marrë vendimin mbi rekursin e bërë nga Veliaj ndaj masës "arrest me burg" të cilën avokatët e tij e cilësojnë "të panevojshme".
Shorti mbi kërkesën me të cilën kundërshton masën e arrestit në burg, i ra sërish gjyqtarit Engert Pëllumbi, teksa koha e raportit shëndetësor për gjyqtaren Olldashi ka përfunduar. Versus.al







