Në bisedat e zbardhura nga dosja e grupit kriminal të Suel Çelës pasqyrohej sesi ky i fundit kishte ndikuar edhe në vendimet e marra nga ish-kryegjyqtari i Elbasanit Zihni Shahu. Në bisedat mes të shumëkërkuarit dhe anëtarit të bandës së tij Klaus Matishi flitet për mundësi të ndryshme për t’i bërë presion Shahut që të vepronte sipas urdhrave të tyre.
Në një moment vetë Suel Çela shkruan se ishte i gatshëm të hynte në shtëpinë e ish-kryegjyqtarit për ta trembur. Ndërsa më pas shkruan se kishte pranuar të vepronte sipas urdhrave të tyre në këmbim të parave.
Por kjo është mënyra që Suel Çela zgjidhte të përdorte si presion ndaj atyre gjyqtarëve të cilët nuk vepronin sipas udhëzimeve të tij. Në një prej rasteve të tjera është edhe lidhur me një process gjyqësor që po zhvillohej në gjykatën e Durrësit, në ngarkim të Shkëlzen Hasanpapaj i cili ishte marrë i pandehur për vrasjen e mbetur në tentativë të Florenc Çapjas, Bledar Muçës dhe një punonjëse policie, ngjarje e ndodhur në 2016-ën.
Anëtari i bandës së Suel Çelës ishte dënuar e 10 vite burg nga gjykata e Elbasanit, por tashmë prokuroria e kishte apeluar çështjen duke kërkuar 22 vite burg. Për të mos lejuar një gjë të tillë, Suel Çela i shkruan Klaus Matishit duke i thënë se do kërcënojë me jetë një gjyqtare të Durrësit, nëse ajo nuk bindet në mënyrë tjetër.
“Po mundoem me njerez ta bindim...e funit do e shtrengojm...ska shanc ta rrisin denimin ded kurr...ja thash benit dje vrionit se flet me ate gjygjtarin qe eshtë me pikëpytje...i thash te duket e drejt kjo...un se uroj thash...po te jet i sigurt ai qe e coj te rygu...do baj gabim shum tmath i thash...e funit...do ta shtrengoj e kapim koburen ne goj...nuk besoj them qe do nigjoi"- ka shkruar Suel Çela në mesazhin kërcënues.
Një tjetër rast i asaj çfarë i priste gjyqtarët në rast se nuk vepronin sipas udhëzimeve të Suel Çelës, paraqitet në një tjetër fragment të dosjes. Në një tjetër bisedë ai i kërkon një prej anëtarëve të grupit të tij që të kontaktojë me ish-gjyqtarin e arrestuar Taulant Tafa me qëllim që ky i fundit të gjente një mënyrë që të përjashtonte Tomorr Kullollin.
Në rast se një gjë e tillë nuk realizohej, Suel Çela flet me një gjuhë kërcënuese për gjyqtarin Kullollin nëse nuk përjashtohej nga çështja gjyqësore në ngarkim të tij.
"... te takoi landin ne mjes thuj blerit...qe te mylli kte pun...me kuptove... te takoi landin neser me mjes...si ta bejn per te heq tomin...?...ok sh mir...mir buc do meremi neser me mjes...se ati tomit do ja shperthejm koke....se atyre k*rva e ja beri..."- shkruan Suel Çela në komunikimet me Bruno Hazizollin, ku “landi” dyshohet se përdoret si nofkë për gjyqtarin Taulant Tafa. Versus.al







