
Aldo alias Elidon Avdylaj u kap disa ditë më parë në një apartament pranë Liqenit të Thatë në Tiranë, të marrë me qira nga shoku i tij Dorian Sherifi, banues në Shijak.
I shumëkërkuari prej vitesh jetonte në arrati, ndërsa burime bëjnë me dije se ai nuk dilte shpesh nga apartamenti ku qëndronte i fshehur pranë Kopshtit Zoologjik, madje edhe në momentin kur u kap kishte nën jastëk një armë zjarri.
Informacionet e policisë kriminale thonë se 37 vjeçari i rrezikshëm e kishte zgjedhur me qëllim këtë vendndodhje pasi tentonte të krijonte një bazë të vetën për të krijuar më pas kushtet e përshtatshme për kryerjen e një vrasje.
Në gjurmët e tij kishte rënë një agjent policie për shkak të një gafe taktike që kishte bërë vetë nipi i Astrit Avdylajt, kreut të grupit të Shijakut.
Informacionet e klasifikuara të siguruara nga gazetari Elton Qyno flasin se Aldo Avdyli ka kërcënuar në telefon nën/drejtorin e policisë Durrës, shtetasin Bujar Deliallisin. Kërcënimi mësohet të jetë kryer në periudhën kur SPAK kishte nxjerrë urdhër-arrestet dhe policia kriminale ka kryer kontrolle në Shijak dhe disa banesa me qëllim kapjen e Avdylit.
Kujtojmë se kjo ishte masa e dytë e sigurisë “Arrest në burg” ndaj 37-vjeçarit, i cili tashmë akuzohet për organizimin dhe financimin e Edmir Koçit alias Malokut në vitin 2021 në Durrës. Ndërsa masa e parë “Arrest me burg” ndaj Avdylit është vendosur në muajin maj 2024, duke e shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme SPAK.
Kjo pasi gjatë një hetimi të dosjes Nr. 59, gjykata kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg” për akuzën e “sigurimit të kushteve për të kryer vrasjen” ndaj një emri të njohur të botës së krimit, Durim Bamit. Sipas hetimit, Avdyli del se përfshihet në një skuadër prej më shumë se 16 personash, të cilët sigurojnë mjetet dhe planifikojnë eleminimin fizik të Durim Bamit, por realisht nuk ia dalin dot.
I vënë në presion nga masa e dytë e sigurisë, Avdyli mësohet të jetë vendosur në Tiranë. Por, teksa qëndronte i fshehur, ai ka kërcënuar me telefon nën/drejtorin e policisë së Durrësit, çka solli përqëndrimin më të madh të forcave dhe teknikës policore për kapjen e tij. Për lokalizimin e Aldo Avdylit, policia kriminale ka përdorur paisjen përgjuese “IMSI Catcher”, një makinë elektrike izraelite, e cila është në gjendje të përgjojë dhe lokalizojë dhjetëra numra njëherësh.
Nga të dhënat e përgjuara përmes paisjes “IMSI Catcher”, policia ka krijuar bindjen se ai ishte vendosur në atë zonë për të realizuar një vrasje të rradhës, por pa ditur se kush mund të ishte objektivi. Versus.al







