Detaje të reja janë zbardhur nga lëshimi i tetë urdhër-arresteve të SPAK për inceneratorin e Tiranës të cilat nuk u arritën të zbatohen nga ana e policisë.
Përveç shqiptarëve Dashamir Ymeraj, Denisa Tollkuçi, Endrit Habilaj, Renardo Nallbani, Ilir Dedja SPAK ka kërkuar arrest me burg edhe për shtetasit e huaj Giusepe Ciaffaglione, Marc Lapat dhe Michael Druijts të cilët kanë bashkëpunuar për të pastruar mbi 20 milionë euro nëpërmjet faturave fiktive.
Krerët e këtij grupi kriminal, sipas SPAK janë Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri. Ndaj personave të cilëve janë lëshuar këto urdhër arreste, rëndojnë akuzat për pastrim parash, mashtrim dhe grup kriminal.
Skema e pastrimit të 20 milionë eurove
Veprimtaria e grupit kriminal, mësohet se ka nisur që në momentin e lidhjes së kontratës koncesionare të inceneratorit të Tiranës. Pastrimi i parave është bërë në mënyrë të ndarë në shumat:
1.214.867.060 (një miliard e dyqind e katërmbëdhjetë milion, e tetëqind e gjashtëdhjetë e shtatë mijë e gjashtëdhjetë) Lekë ;
9.456.093 (nëntë milion e katërqind e pesëdhjetë e gjashtë mijë e nëntëdhjetë e tre) Euro.
Mësohet se personat ndaj të cilëve janë lëshuar këto urdhër-arreste kanë bashkëpunuar duke marrë vlerat monetare nga llogaria bankare e shoqërisë koncesionare të inceneratorit të Tiranës “Integrated Energy B.V. SPV” sh.p.k, me anë të prerjes së faturave fitikeve nëpërmjet kompanive fiktive të krijuara brenda dhe jashtë vendit. Gjithashtu tërheqja e parave bëhej në metodën “cash”.
Pavarësisht lëshimit të urdhërave për arrestimin e këtyre personave më datën 12 korrik, SPAK bën me dije se policia i ka njoftuar tre ditë më vonë se nuk ishte i mundur zbatimi i masave të sigurisë. Versus.al







