
Situata në jug të Shqipërisë paraqitet problematike sa i takon përmbytjeve të shkaktuara nga reshjet e dendura të shiut gjatë natës.
Lumi Vjosë vijon të mbetet me nivelin e ujit deri në 7.3 metra në urën e Mifolit, ndërsa ka dalë nga shtrati në fshatrat Kashisht, Çerven dhe Ferras të Fierit, por sërish mbetet brenda argjinaturave.
Rënia e fuqisë tërheqëse të detit po pengon shkarkimin e ujit, çka sjell shtim të prezencës së tij në tokat bujqësore, ku në Kashisht dhe Çerven janë përmbytur rreth 50–60 hektarë. Në Çerven është evakuuar një familje me dy anëtarë, ndërsa uji ka hyrë në oborret e 30 ndërtesave në zonat brenda argjinaturës në Kashisht (5 banesa), Çerven (4) dhe Ferras (21).
Gjithashtu në Sarandë, është çarë argjinatura e lumit Bistricë dhe për pasojë janë përmbytur 5 banesa dhe qindra hektarë tokë bujqësore. Përmbytje raportohen edhe në zonën e Shalësit, ku lumi i Pavllës ka dalë nga shtrati pranë urës në Vilë, duke izoluar 6 fshatra të njësisë administrative Markat. Ndërkphë aksi rrugor Delvinë - Muzinë është bllokuar si pasojë e rënies së dherave.
Në Vlorë niveli i lumit Vjosa ka arritur në 8.25 metra. Në Mifol dhe Novoselë ka përmbytje të tokave bujqësore. 10 banesa në fshatin Fitore, pranë Urës së Mifolit, dhe 7 të tjera në Novoselë janë përmbytur, ndërsa banorët janë evakuuar. Versus.al

