AKTUALITET /

Masakra e Dobraçit, RENEA shoqëron Safet Bajrin dhe 4 persona! Masa edhe për të vetëdorëzuarit

Kjo është hera e dytë që Safet Bajri shoqërohet nga policia për t'u pyetur mbi masakrën e Dobraçit.

Shkruar nga Versus

Masakra e Dobraçit, RENEA shoqëron Safet Bajrin dhe 4 persona! Masa

Shkodër- Forcat RENEA kanë zhvilluar një operacion “blic” në Dobraç lidhur me masakrën e ndodhur më 30 tetor të vitit të kaluar ku u vranë me armë zjarri Arlind Bushati dhe Hamza Lici, të cilët në tentativë për të shpëtuar përplasën për vdekje çiftin Bashkim dhe Flutura Basha.

Operacioni ka nisur rreth orës 05:00 të mëngjesit dhe kontrolle u zhvilluan edhe në shtëpinë e Safet Bajri, emër i njohur për drejtësinë i përfolur për disa ngjarje kriminale.

Në kuadër të këtij operacioni, mësohet se janë lëshuar 5 masa arresti në total. Ndërsa masa shtesë janë caktuar edhe më Izmir Sakicën e Samuel Troshanin, dy të dyshuar për masakrën të cilët javë më parë u dorëzuan në polici për një sherr në të cilin ishin përfshirë për parkim.

Në polici është shoqëruar edhe Safet Bajri për t’u pyetur lidhur me masakrën e ndodhur pavarësisht se më herët u shoqërua menjëherë pasi ndodhi ngjarja dhe u lirua sërish duke dhënë arsyetimet se kishte qenë në prani të familjes dhe se kjo gjë provohej edhe nga kamerat.

Hetimet për vrasjet që tronditën vendin, i ka marrë në dorë Prokuroria e Posaçme (SPAK) pasi prokuroria e Shkodrës shpalli moskompetencë. Në media qarkulluan pamje menjëherë pas ngjarjes ku dyshohej se i pranishëm në vendin ku ndodhi atentati kishte qenë edhe i shumëkërkuari Ibrahim Lici, vëllai i të ekzekutuarit Hamza Lici. Për faktin se personi i paidentifikuar nuk u ndalua menjëherë nga policia, u pezulluan nga detyra 4 efektivë. Ndërsa hetimet për zbardhjen e ngjarjes që dyshohet të jetë vijim i sagës së përplasjeve mes Bajrajve dhe Licëve, vijon. Versus.al

Poll