AKTUALITET /

“Po hanim bukë kur ra zjarri”, flakët shkrumbuan banesën në Pukë, 5 familjarët në qiell të hapur

Shkruar nga Versus

“Po hanim bukë kur ra zjarri”, flakët shkrumbuan

Pukë- Një banesë u shkrumbua nga flakët pasditen e sotme në fshatin Mesul ku mbeti i lënduar kryefamiljari Ardian Keci i cili u transportua për në QSUT ku po merr ndihmën mjekësore të nevojshme.

Pak minuta mjaftuan për të shkaktuar dëme të shumta duke e djegur plotësisht banesën ku banonin 5 persona. Djali i familjes, ka folur për mediat ku ka treguar se po hanin bukë në momentin kur nisi zjarri si pasojë e një shkëndije elektrike duke lënë në qiell të hapur familjen e tij.

“Ishim duke ngrënë bukë dhe kemi parë zjarrin në tavan që kishte rënë, nuk e dimë nga erdhi. I kam marrë mamin, nënë dajën dhe i kam nxjerrë jashtë. Na janë djegur televizori, dushi, raftet, kolltuqet, frigoriferi, lavatriçja”, thotë Geraldo Keci, djali i familjes.

Zjarrfikësit e patën të pamundur të mbërrinin në kohë për shkak të mungesës së infrastrukturës.

Ndërsa përfaqësues të bashkisë që mbërritën në vendngjarje thanë se banesa është shkrumbuar totalisht ndërsa bënë thirrje për biznesmenë të zonës dhe drejtorive përkatëse për t’i ardhë në ndihmë me një banesë familjes së mbetur në qiell të hapur.

“Dëmet janë të konsiderueshme. E gjithë banesa është jashtë funksionit pasi është e dëmtuar totalisht nga zjarri me të gjitha orenditë dhe pajisjet brenda. Fatmirësisht nuk kemi dëme në njerëz dhe kjo është fat, për pjesën tjetër na duhet i gjithë angazhimi i strukturave vendore, i shtetit, drejtorive përkatëse për t’i ardhur në ndihmë kësaj familje. Po ashtu i apeloj biznesit pukjan dhe kush ka mundësi ta ndihmojë në mënyrë që kjo familje ta kalojë sa më shpejt këtë situatë“, u shpreh Ferit Ringaj, nënkryetar i Bashkisë së Pukës. Versus.al

Poll