
Opozita zhvillon sot një protestë kombëtare përpara Kryeministrisë, ndërsa Policia e Tiranës ka njoftuar se nuk merr përsipër organizimin e tubimit, duke u bazuar në eksperiencën e protestave të mëparshme me përplasje dhe përdorim të mjeteve piroteknike.
Por blutë bëjnë me dije se janë marrë masa sigurie dhe se qarkullimi i automjeteve do të kufizohet në disa akse kryesore, përfshirë bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”, duke ofruar rrugë alternative për qytetarët. Policia apelon që të shmanget qarkullimi në këto akse dhe të raportohet çdo veprim i dhunshëm apo paligjshëm.
Njoftimi i policisë:
Bazuar në analizën e riskut dhe duke marrë parasysh faktin që në protestën e kaluar ka patur shtetas të maskuar të cilët kanë hedhur bomba molotov dhe lëndë piroteknike duke dëmtuar punonjës policie, si dhe nga informacionet e marra se mund të ketë veprime të dhunshme në protestën e sotme, Policia e Tiranës i ka kthyer përgjigje subjektit politik, se nuk e merr përsipër zhvillimin e tubimit.
Pavarësisht kësaj, Policia e Tiranës ka ndërmarrë të gjitha masat, në bazë të ligjit “Për tubimet”, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë, në rast se do të zhvillohet tubimi.
Në zbatim të këtyre masave, ditën e sotme, do të kufizohet lëvizja në disa akse/segmente rrugore, konkretisht:
-Nga ora 15:00 e datës 20.02.2026, deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.
Në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore. Në rast bllokimi, për të ndihmuar qytetarët që do të qarkullojnë në këto akse, Policia e Tiranës ka marrë masa për ta devijuar qarkullimin e automjeteve në rrugë alternative.
Policia e Tiranës apelon për qytetarët që të shmangin lëvizjen me automjete në akset rrugore që do të bllokohen dhe të përdorin rrugë alternative si dhe të distancohen e të denoncojnë në rast se ndeshen me veprime të dhunshme apo me çdo paligjshmëri tjetër. /Versus.al


