
Ditën e sotme në orën 10:00, opozita ka paralajmëruar një protest para Kuvendit pas publikimit të investigimit të “Rai3” ku shfaqej ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj teksa rrëfente gjatë një darke sesi kryeministri Edi Rama priste në zyrë eksponentë të krimit të organizuar.
Protesta do të zhvillohet në të njëjtën orë që nis seanca plenare në Kuvend. Ndërsa policia ka publikuar masat e marra për garantimin e sigurisë dhe rendit publik gjatë zhvillimit të tubimit.
Në zbatim të planit të masave, duke nisur nga ora 08:00 e në vijim, do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit të mjeteve në bulevardin Zhan D’Ark dhe rrugën “Xhorxh Bush”. Drejtuesve të automjeteve, ato të transportit publik, si dhe këmbësorët gjithashtu, iu bëhet thirrje që të shmangin këto rrugë dhe të përdorin rrugë alternative.
“Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë respekton plotësisht të drejtën e qytetarëve për të organizuar dhe marrë pjesë në tubime dhe i bën thirrje organizatorëve, drejtuesve, pjesëmarrësve në tubime, dhe perfaqësuesve të subjekteve politike, të ushtrojnë të drejtën e tyre në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi.
Policia e Shtetit ka të gjitha kapacitetet për të garantuar të drejtën e tubimit, sipas përcaktimeve ligjore dhe përsërit thirrjen për të respektuar ligjin dhe për t’u distancuar nga çdo akt dhune, pasi nuk do të tolerohen sjellje apo veprime që cenojnë rendin dhe sigurinë publike”, thekson policia në njoftim.
Sot në Kuvend pritet të miratohen edhe përbërjet e komisioneve të Antikorrupsionit dhe Dezinformimit që PS i ka çuar për votim. Versus.al







