
Dosja e masakrës së Bradasheshit, ku u zbardh roli i vëllezërve Franc e Hajdar Çopja në vrasjen e Endrit Albejt dhe xhaxhait e mikut të tij turk, zbardhi gjithashtu edhe rolin e të shumëkërkuarit Talo Çela, si një prej personave kyç në sigurimin e grupit të vrasësve dhe grabitësve në ngjarje të ndryshme.
Në dosjen e zbardhur nga Versus.al, Talo Çela rezulton të ketë qenë organizator i grabitjes së mbetur në tentativë në Fier në mars të 2018-ës ku gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë, mbeti i vdekur Xhuliano Sollaku, ndërsa u plagos Arben Muça, i cili po vuan dënimin në burg për ngjarjen ku u tentua grabitja e banesës në pronësi të Minella Muçit.
Banesa e cila ishte planifikuar të grabitej, ndodhej në një pallat të vjetër pa ashensor. Sipas atyre që Talo Çela i kishte rrëfyer të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani, brenda banesës ishin të fshehura 500 mijë euro, të cilat i përkisnin një personi që jetonte në Meksikë, shokut të ngushtë të Arben Isufit “Ben Qimes”, një emër i njohur për drejtësinë.
“Njëri nga personat i ka mbajtur çantën me vegla Talos. Pasi dera ishte gati për ta hapur sepse doreza ishte e çmontuar me nje r;eles papagall dhe nje kaçavidë të të gjatë dhe nje kaçavidë të shkurter. Nga brenda janë dëgjuar lëvizje ndërsa nga jashtë Eljo ka thirrur të tjerët, ejani se erdhi policia. Policia u kishte zënë rrugën për të shkuar te makina dhe prandaj ata janë shpërndarë. Nuk ikën të gjithë në një drejtim dhe më pas kanë gjuajtur drejt policisë. Objektivi i grabitjes ishte një shok i Ben Qimes që jetonte në Meksikë, informacioni për këtë banesë ishte se brenda fshiheshin 500 mijë euro”- tha thënë Dumani në rrëfimin e tij.
Dumani ka rrëfyer se Talo Çela kishte marrë me vete të besuarit e tij, mes të cilëve Altin Ndoci dhe Eljo Bitri qëndronin poshtë pallatit për të ruajtur nëse vinte ndonjë polic, ndërsa Xhuliano Suka dhe Arben Mufa u ngjitën në banesë me Talon. Ky i fundit, kreu hapjen e derës por më pas u lajmëruan nga personat poshtë se po vinte policia. Në moment që ia kanë mbathur, Xhuliano Suka dhe Arben Mufa kanë hapur zjarr ndaj dy punonjësve të policisë që po i ndiqnin dhe gjatë shkëmbimit të të shtënave me armë, ka mbetur i vdekur 20 vjeçari Xhuliano Suka. Ndërsa Arben Mufa mbeti i plagosur dhe pavarësisht se u arrestua për ngjarjen, nuk tregoi emrin e Talo Çelës.
Mikael Qosja, pjesë e grupit të Çopajve ka komunikuar me Arben Muçën nëpërmjet aplikacionit “Sky ecc” dhe i ka propozuar që pasi të dalë nga burgu të jetë krahu i tij i djathtë. Muça ka pranuar duke thënë se ishte i gatshëm të vriste këdo që i thuhej pasi ishte i frustruar për faktin se përgjegjësia për grabitjen e ndodhur në Fier kishte rënë mbi shpatullat e tij.
“Më kanë ra të gjitha në kurriz mua. Për kokë të fëmijëve, sa të dal, vëri gishtin ti kë do”- thuhet në mesazhin që Muça i ka dërguar Mikael Qoses.
Në përfundimet e nxjerra nga gjykata, në dosje thuhet se organizata kriminale e Çopajve bëri tentativë të lironte nga burgu Arben Muçën, pas vrasjes së vëllezërve Haxhia në Durrës, në mënyrë që ta rekrutonin në krahun e tyre për ngjarje të tjera kriminale. Në maj të 2020-ës, Franc Çopja në sajë të informacioneve që kishte arritur të siguronte, i dërgon mesazh Talo Çelës me përmbajtjen “Kanë lidh Fierin”, duke nënkuptuar se po verifikohej roli i Talos në tentativën për grabitje. Versus.al







