AKTUALITET /

Shefi i policisë kufitare të Sarandës në kërkim për grup kriminal, emërohet pasuesi i tij (EMRI)

Shkruar nga Versus

Shefi i policisë kufitare të Sarandës në kërkim

Disa ditë pasi shefi i policisë kufitare të Sarandës, Elvis Dervishi u shpall në kërkim, është emëruar pasuesi i tij në këtë post.

Në vendin e tij është caktuar Elvis Shehu i cili mbante postin e shefit të stacionit të pikës kufitare të Qafë Botës. Më parë ka mbajtur postin si përgjegjës turni në Portin e Sarandës dhe specialist i riskut në komisariatin e kufirit dhe migracionit të Sarandës.

Dervishi nga ana tjetër u shpall në kërkim pasi nuk u gjet në banesën e tij gjatë kontrolleve që SPAK zhvilloi të premten dhe të shtunën për goditjen e grupit që trafikonte drogë nga Shqipëria drejt Greqisë.

Përgjimet në SkyEcc kanë zbuluar përfshirjen e Dervishit në grupin kriminal që drejtohej nga Kristo Qirici, vëllai i Edmond Papës, të ekzekutuarit më datë 16 dhjetor 2022.

Në pranga si pjesë e këtij grupi kriminal ranë edhe shefat e krimeve, Shkëlzen Ruska në Himarë dhe Ervis Alisinanaj në Lushnjë. Po ashtu edh eish-efektivi Erdit Hazizaj, ish kandidati për kryebashkiak të Roskovecit në zgjedhjet e 2023-it. Versus.al përcolli dje detaje nga dosja ku shfaqeshin komunikime mes zyrtarëve të policisë dhe kreut të grupit kriminal i cili është ende në kërkim. Versus.al

Poll