Paraqitja e deputetes Monika Kryemadhi sot në SPAK u dominua më së shumti nga batutat me gazetarët, të cilët edhe pasi doli e pyetën për kombinimin me ngjyrën mavi.
Kryemadhi u përgjigj me batuta, ndërsa tha se me ‘videocall’ po komunikonte me fëmijët e saj dhe jo me Ilir Metën, duke kërkuar që ky i fundit të mos ngatërrohej me Veliajn që sipas saj komunikon çdo ditë me stafin e tij.
“Mavia ma ka vjedhur mua ngjyrën. Po flisja me fëmijët e mi, jo me Metën. Mos e ngatërroni me Erion Veliajn që komunikon çdo ditë me stafin”- tha Kryemadhi.
Më tej i bëri sërish thirrje SPAK-ut që të fokusohet tek Inceneratori i Tiranës për të cilin nënvizoi se si sot 4 vite më parë ajo personalisht dorëzoi denoncimin për kryebashkiakun Erion Veliaj.
“Sot e kam si ditë përvjetori. Më 3 mars 2021 kam dorëzuar në SPAK denoncimin për inceneratorin e Tiranës ku Erion Veliaj merrte përsipër atributet e këshillit bashkiak. Dua t’i kujtoj SPAK-ut sërish inceneratorin e Tiranës sesi bashkia vijon të paguajë sot 29 euro për ton mbetjesh, pa llogaritur administrimin e qytetit”- u shpreh deputetja. Versus.al







