Tom Doshi kreu i partisë Socialdemokrate (PSD) ka dalë nga SPAK dy orë pasi ishte paraqitur për herë të parë në strukturën e posaçme antikorrupsion.
Ai tha para gazetarëve se ishte pyetur për një hetim që SPAK po kryen ndaj kryebashkiakut aktual të Rrogozhinës, Edison Memolla të cilin GJKKO e ka dënuar me 1 vit burg. Doshi deklaroi se një prej personave që ai personalisht kishte takuar gjatë zgjedhjeve të 2023-it, kishte qenë nën përgjim nga SPAK.
“Është normale me na thirr Prokuroria. Për zgjedhjet në Rrogozhinë, për Edison Memollën. Kam bërë një takim elektoral në Rrogozhinë unë dhe personi që kam takuar ka qenë nën përgjim. Po bëhen hetime për ata, për kryetarin e bashkisë”- tha Doshi duke mos zbuluar detaje të tjera.
Ndërsa sa i takon pyetjes nëse partia e tij do votojë për shkrirjen e SPAK, Doshi e hodhi poshtë një pretendim të tillë duke thënë se do të vazhdojë ta mbështesë Reformën në Drejtësi.
“Asnjëherë, e kam mbështetur Reformën në Drejtësi. Deputetët tanë edhe këtë mandat edhe mandatin tjetër do e mbështesin SPAK-un”- deklaroi kreu i PSD i cili pak ditë më parë shpalli kandidaturën e tij për deputet në Shkodër. Versus.al







