Një operacion i koordinuar mes Policisë së Tiranës dhe asaj të Shkodrës ka çuar në finalizimin e operacionit të koduar “Metoda”, ku u zbulua një rast i trafikimit të armëve të zjarrit nga Shqipëria drejt Mbretërisë së Bashkuar. Mjeti i zgjedhur për fshehjen e armës ishte një televizor, një pistoletë me silenciator, e ndarë në pjesë dhe e futur brenda tij.
Ndalimi u bë në zonën e “Bulevardit të Ri” në Tiranë, ku shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 ushtruan kontroll në një kamion të dyshuar për trafikim armësh. Gjatë kontrollit, brenda një televizori të transportuar me kamion u gjet arma e zjarrit, e ndarë në disa pjesë për të shmangur zbulimin nga autoritetet.
Si rezultat i hetimeve dhe informacionit të siguruar në rrugë operative, u identifikuan tre shtetas nga Shkodra si autorë të dyshuar të këtij trafiku të sofistikuar. Dy prej tyre janë arrestuar:
Jurgen Suca, 26 vjeç
Segest Meti, 20 vjeç
Ndërsa i treti, R. A., 20 vjeç, është shpallur në kërkim.
Sipas hetimeve paraprake, të tre personat vepronin në bashkëpunim dhe kishin planifikuar trafikimin e armës me destinacion Anglinë. Armët dyshohet se po transportoheshin pa dijeninë e drejtuesit të kamionit, i cili nuk kishte asnjë informacion mbi përmbajtjen e pajisjeve që po transportonte.
Prokuroria dhe grupi hetimor po vijojnë punën për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale, pasi dyshohet se ky nuk ishte rasti i vetëm. Ka dyshime të forta se të njëjtët persona mund të jenë përfshirë edhe në trafikime të tjera armësh në drejtim të vendeve të BE-së. Gjithashtu, po punohet për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.







