Një rrjet i organizuar kriminal që dyshohet se merrej me trafikimin e vajzave nga Afrika për qëllime prostitucioni është goditur nga Prokuroria e Fierit, në bashkëpunim me Policinë Gjyqësore të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier.
Operacioni vjen pas një hetimi proaktiv disa mujor, që çoi në arrestimin e pesë personave, mes tyre dy vajza nga Uganda, një tutor i dyshuar dhe bashkëpunëtorët e tij.
Skema kriminale
Sipas hetimeve, organizatori i rrjetit është shtetasi Osion Puka cili, në bashkëpunim me Klodiana Haskasa, menaxhere dhe bashkëpunëtore e afërt, kishin krijuar një biznes fasadë në formën e një lokali nate, ku rekrutoheshin vajza të huaja si kërcimtare “strip dance”, por më pas shfrytëzoheshin për shërbime seksuale në ambientet “prive” të lokalit.
Dy vajzat nga Uganda, të cilat kishin hyrë në Shqipëri në mars të vitit 2024, u përfshinë në këtë rrjet pas premtimeve për punësim, por shumë shpejt u bënë viktima të shfrytëzimit seksual, për shkak të gjendjes së tyre të vështirë ekonomike dhe sociale.
Në përpjekje për të penguar hetimin, organizatori mbylli përkohësisht lokalin dhe përdori një shtetase tjetër, Orkida Gajo, si qiramarëse dhe administratore fiktive. Sipas Prokurorisë, Osjon Puka kishte krijuar një strukturë të mirëorganizuar, ku rolet ishin të qarta: ai vetë si organizator, Klodiana Haskasa. si menaxhere e lokalit dhe e vajzave, ndërsa fitimet dorëzoheshin në mënyrë të rregullt te “shefi”.
Në këtë skemë kriminale, u përdorën edhe persona vulnerabël, përfshirë një vajzë me probleme familjare dhe sociale, që shërbente si mbulesë për aktivitetin e paligjshëm.
Sekuestrime dhe masa sigurie
Gjatë kontrollit të lokalit dhe banesave, autoritetet sekuestruan:
611,000 lekë në para cash,
Shuma të tjera në monedha të huaja,
Dy grushta metalikë përforcues, të klasifikuar si armë të ftohta.
Gjykata e Fierit, pas kërkesës së Prokurorisë, caktoi:
“Arrest me burg” për Osjan Puken dhe Klodiana Haskasen
“Detyrim për t’u paraqitur” për Orkida Gajo, si dhe për dy vajzat nga Uganda, të cilave iu vendos gjithashtu ndalimi i daljes jashtë shtetit.
Hetimet vijojnë, dhe autoritetet nuk përjashtojnë zgjerimin e hetimeve për persona të tjerë të përfshirë në skemën kriminale.







