AKTUALITET /

Veliaj reagon sërish nga burgu: E vërteta nuk është ashtu si thotë prokurori i fiksuar pas fustaneve

Shkruar nga Versus
Veliaj reagon sërish nga burgu: E vërteta nuk është ashtu si
Kreu i bashkisë Tiranë Erion Veliaj dhe prokurori i SPAK Ols Dado

Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj i cili është arrestuar prej të hënës nën akuzën e korrupsionit dhe pastrimit të parave ka reaguar sërish prej ambienteve të paraburgimit të Durrësit duke shpërthyer në akuza ndaj prokurorit të SPAK, Ols Dado.

Teksa kërkoi llogari për mallrat me vlerë marramendëse që SPAK pretendon se janë blerë nga bashkëshortja e tij Ajola Xoxa, Veliaj ironizoi duke përmendur edhe nusen e Sali Berishës për dyqanin e saj të veshjeve në zonën e bllokut.

Ndërsa më tej pretendon se nuk ka asnjë provë që provon dyshimet e SPAK ndaj tij. Ai nuk u kursye as ndaj gjyqtarit të posaçëm Erjon Bani i cili firmosi masën e sigurisë arrest me burg. Ndërsa për prokurorin Ols Dado ripërsëriti akuzat duke thënë se kjo është një hakmarrje personale për shkak se më herët nuk i kishte dhënë leje ndërtimi në Tiranë.

Reagimi i plotë:

Unë i mirëkuptoj të gjithë ata që neveriten kur shikojnë se si dalin nga gjirizet mediatike fustanët e sime shoqeje. Por, a ma thotë dot kush, ku është maunia me gati 1 milion Euro mall?
Se për 1 milion Euro mall duhet një dyqan si ai i brekëve dhe sutjenave të nuses së Sali fundërrinës në Bllok apo jo?
Përderisa edhe lavamanët i shkulën nga vendi në gjithë ambientet në Tiranë e në Golem, për të kërkuar ndonjë varëse floriri të fshehur, në mure e dysheme, ku dihet botërisht se jetojmë në pallat të ndërtuar në vitin 2012 (kam hyrë në atë apartament kohë më parë se sa të bëhesha kryetar bashkie, leje e Komunës Farkë e Bardh Plakut, as e dhënë nga unë vetë), atëherë duhet t’i kishin provat materiale besoj, apo jo?
Kanë blerjet online do thoni ju.
Por, ja që e vërteta nuk është ashtu si thotë prokurori i fiksuar pas fustanëve të gruas time, që gjatë intervistës më tregonte se si kontrollonte gruan e tij dhe më pyeti edhe “çfarë hamë?”.
Po po, e lexuat mirë, çfarë hani ju tha! Pa merak, se do ju’a tregoj edhe këtë, këtu jemi! U pa puna, ata me letra anonime dhe metoda sigurimse, unë me letra nga burgu, ku më morën peng pa gjyq.
Po si është e vërteta?
E vërteta ime do të dalë e gjitha, jini të bindur. Por, mundohuni të kuptoni, se sa më e vështirë bëhet kjo betejë krejt e pabarabartë, kur të marrin peng, siç më kanë marrë mua, dhe flasin vetëm ata, duke furnizuar gjirizët me “faktet” e tyre të njëanshme.
Unë jam akoma person i dyshuar, se s’më kanë marrë dot të pandehur, ngaqë nuk kanë një fakt të vetëm, as në dosjen prej sigurimsi të Ols Dados. Aty nuk gjendet dot një rresht ku të thuhet se i kam kërkuar apo marrë rryshfet dikujt ose se është gjetur ndonjë lek i pajustifikuar. Por, ndërkohë unë akuzohem për korrupsion.
A nuk duket se më kanë mbyllur brenda, pikërisht që të mos ballafaqohesha me “faktet” e me gazetarët “kompetentë”, që furnizohen nga prokurorët edhe përpara avokatëve?
Gjejani vetë përgjigjen kësaj pyetjeje, se ndryshe nga Ols violina dhe gjithë fyejt e qemanetë e gjirizëve, unë nuk ngre akuza pa prova.
Në thertoren e Erjon Banit - se vetëm sallë gjyqi nuk qe - kërkova që Ols Dado të largohet nga çështja dhe të futet në dosje si një prokuror që ka përdorur telefonin e paguar nga taksat për të kërkuar leje ndërtimi për veten e tij. Ndërsa, për adashin tim gjykatës s’kam çfarë them fare. I bërë njësh me prokurorin dhe i paduruar që t’i jepte Sali fundërrinës lajmin e mirë të pengmarrjes time pa gjyq.
Bekime e përqafime të gjithëve, mbani besimin dhe kokën lart për Tiranën tonë që ka nevojë për energjitë pozitive të secilit, pavarësisht rrethanave të momentit! Forca!

Prej të mërkurës Veliaj u caktua nën masë sigurie "arrest me burg" dhe më pas u transportua për në ambientet e paraburgimit të Durrësit. Që prej arrestimit, kryebashkiaku nuk ka ndaluar me reagime nga qelia nga ku akuzon SPAK-un se e ka arrestuar pa prova. Versus.al

Poll