Në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, pas një séance maratonë të nisur në orën 09:00 e më pas të ndërprerë për të rifilluar në orën 13:30, Gjykata e Posaçme la në fuqi masën e arrestit me burg për kryebashkiakun e arrestuar, Erion Veliaj.
Masa e sigurisë ndryshoi në “detyrim paraqitje” për bashkëshorten e tij Ajola Xoxa. Ndërsa për biznesmenët e tjerë, mbetën në fuqi të njëjtat masa sigurie, Eman Abule do të hetohet nën arrest me burg, ndërsa 5 biznesmenët e tjerë do të kenë detyrim paraqitje.
Seanca u shoqërua nga tensione gjatë zhvillimit të saj. Kryebashkiaku Erion Veliaj nuk u kursye me akuza ndaj prokurorit të posaçëm që e hetoi, Ols Dados, duke thënë se ky i fundit ka konflikt interesi dhe se po ia bën këtë gjë vetëm sepse nuk i ka dhënë leje ndërtimi.
Nga ana tjetër, Dado i kërkoi të ruante etikën duke i kujtuar se gjendet në gjykatë dhe jo në “facebook”.
Krahas seancës që zhvillohej brenda GJKKO, jashtë ndërtesës mbështetësit e Veliajt qëndruan me orë të tëra deri në momentin kur u dha vendimi që kryebashkiaku të dërgohet në paraburgimin e Durrësit. Pati edhe një moment kur mbështetësit e Veliajt bllokuan rrugën e makinës së policisë që e transportonte kryebashkiakun, duke vendosur para xhamit të saj pankarta me projekte që sipas tyre i ka realizuar Veliaj si kryebashkiak, mes tyre edhe pankarta me projekte “3D”.
Arrestimi i Veliajt shkundi skenën politike të vendit, gjersa edhe socialistët me në krye Edi Ramën nisën të kritikonin SPAK për metodat e përdorura gjatë hetimit. Reagimi i vetëm i ndërkombëtarëve ishte ai i ambasadës së BE që theksoi domosdoshmërinë e pavarësisë së SPAK gjatë këtyre procedurave. Versus.al







