AKTUALITET /

VIDEO/ Lëvizte i armatosur, arrestohet 57-vjeçari! Babai i Azgan Mernicës që vrau policin

Petrit Mernica, banues në fshatin Sulaj në Fier, rezulton se ka qenë i dënuar më parë për vrasje

Shkruar nga Versus
VIDEO/ Lëvizte i armatosur, arrestohet 57-vjeçari! Babai i Azgan
Novruz Cenalia dhe Azgan Mernica

Arrestohet në Fier një 57-vjeçar, i cili qarkullonte i armatosur.

Burime bëjnë me dije se në prangat e policisë ka rënë 57 vjeçari Petrit Mernica dhe rezulton të jetë babai i Azgan Mernicës, të riut i cili më shumë se një vit më parë vrau efektivin Novruz Cenalia.

Petrit Mernica, banues në fshatin Sulaj në Fier, rezulton se ka qenë i dënuar më parë për vrasje. Petrit Mernica ka bërë 20 vite burg për vrasjen e kunatit te tij.

Vrasja e policit

Më 13 maj 2024, rreth orës 13:30, në fshatin Baltëz të Bashkisë Fier. Sipas dosjes hetimore, gjithçka nisi si debat verbal.

Azgan Mernica po drejtonte automjetin e tij me shpejtësi të lartë në një kthesë të rrezikshme, kur u ndalua nga efektivi Novruz Cenalia, i cili i tërhoqi vëmendjen për mënyrën e rrezikshme të ngjarjes, teksa ishte në detyrë.

Pas një kundërshtimi të ashpër nga Mernica, ky i fundit ka nxjerrë armën e zjarrit dhe ka qëlluar për vdekje policin me plumb në kokë. Autori i krimit u kap nga forcat e rendit pas një operacioni 48 orësh dhe negociatash me familjaret e tij.

Azgan Mernica është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e efektivit Cenalia.

Njoftimi i policisë

Lëvizte i armatosur me pistoletë me vete, kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 57-vjeçari, i dënuar më parë për vrasje.

Sekuestrohet arma e zjarrit pistoletë me 2 krëhëra me municion luftarak.

Shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimeve Kundër Personit dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje, bazuar edhe në informacionet e siguruara për një shtetas që lëvizte i armatosur, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Pathway”.

Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë kapur në flagrancë, në një lokal në fshatin Fermë Çlirim, shtetasin P. M., me 1 armë zjarri pistoletë, me 2 krëhëra me nga 7 fishekë, që i mbante në çantën e dorës.

Në vijim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier arrestuan shtetasin P. M., 57 vjeç, banues në fshatin Sulaj, Fier, i dënuar më parë për vrasje.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.

Poll