
Pas takimit të Edi Ramës me nënkryetarët e bashkisë së Tiranës është caktuar se kush do e drejtojë këtë Bashki.
WebLajm.com shkruan se Andi Seferi një nga 5 nënkryetarët e Bashkisë së Tiranës do të drejtojë Bashkinë më të madhe në vend.
Seferi do të drejtojë edhe aktivitetin e shpalljes Tirana kryeqytet në 105-vjetorin e saj pasditen e kësaj të marte. Si kryetar i Degës së Tiranës, për Partinë Fryma e Re Demokratike, Seferi ishte dhe propozimi i kësaj partie për nënkryetar të Bashkisë Tiranë.
Po kush është Andi Seferi që do të marrë drejtimin e Bashkisë së Tiranës pas arrestimit të Erion Veliajt?
Ai u diplomua fillimisht si jurist në Fakultetin e Drejtësisë, në Universitetin e Tiranës. Më pas kreu përsëri studimet e larta edhe në Fakultetin e Ekonomisë dhe Agrobiznesit, pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës, duke u diplomuar si Ekonomist Agrar.
Specializohet nëpërmjet studimeve Master Ndërkombëtar, të Universitetit Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, Universitetit të Palermos si dhe Insitutit të Formimit Politik “Pedro Arrupe” Perugia, për “Administrim dhe zhvillim territorial”, studime të cilat kanë shërbyer për të përforcuar aspektin e zhvillimit territorial dhe administrimin e politikave në nivel vendor.
Pas eksperiencave relativisht të shkurtra pranë Telekomit Shqiptar dhe një Kompanie Private, Seferi nisi punë si Përfaqësues i Komunitetit Sant’Egidio në Shqipëri, për një periudhe mbi 17 vjeçare. Eshtë njohës i thellë i gjuhës dhe kulturës Italiane. Njeh shumë mirë gjuhën Angleze.
Ai është një nga themeluesit e Partisë Fryma e Re Demokratike dhe Sekretar i Burimeve Njerëzore të kësaj partie. Aktualisht është Kryetar i Degës së Tiranës, për Partinë Fryma e Re Demokratike, i zgjedhur sipas parimit "një anëtar një votë".
Andi Seferi, ka lindur në Vjenë, Austri, në një familje tiranse - është i martuar dhe prind i dy fëmijëve.







