BOTA /

Koreja e Veriut “tregon muskujt” ndaj Uashingtonit dhe Seulit

Pas testit të fundit me raketë balistike, Pheniani paralajmëron një qëndrim më ofensiv ndaj Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut.

Shkruar nga Versus

Koreja e Veriut “tregon muskujt” ndaj Uashingtonit dhe Seulit

Koreja e Veriut ka deklaruar të shtunën se do të veprojë “më në mënyrë ofensive” kundër Uashingtonit dhe Seulit, vetëm një ditë pas një testi me raketë balistike që u dënua ashpër nga të dyja vendet.

“Ne do të reagojmë në mënyrë më ofensive ndaj kërcënimeve armiqësore”, tha ministri i Mbrojtjes i Koresë së Veriut, No Kwang Chol, duke cituar agjencinë shtetërore të lajmeve KCNA.
Sipas tij, Shtetet e Bashkuara po tregohen “të pacipa në manovrat e tyre ushtarake” që synojnë “të kërcënojnë sigurinë e vendit tonë”, duke akuzuar Uashingtonin se po e përshkallëzon me qëllim tensionin politik dhe ushtarak në rajon.

Koreja e Veriut “tregon muskujt” ndaj Uashingtonit dhe Seulit

Një aeroplanmbajtëse amerikane në Korenë e Jugut

Pheniani reagoi ashpër ndaj ankorimit të aeroplanmbajtëses amerikane me energji bërthamore USS George Washington në portin jugkorean të Busanit, të mërkurën.
Autoritetet e Seulit shpjeguan se vizita ishte për arsye logjistike dhe pushim për ekuipazhin, por Pheniani e interpretoi si provokim ushtarak.

Deklaratat e ministrit verikorean dhe testi i raketës vijnë vetëm një javë pas vizitës së Donald Trump në Korenë e Jugut, si pjesë e turit të tij diplomatik në Azi.

Koreja e Veriut “tregon muskujt” ndaj Uashingtonit dhe Seulit
Trump nuk takohet me Kim Jong Un

Gjatë vizitës, Donald Trump kishte lënë të hapur mundësinë për një takim me udhëheqësin verikorean Kim Jong Un, me të cilin ishte takuar tre herë gjatë mandatit të tij të parë presidencial.
Megjithatë, një takim i tillë nuk u realizua, pasi Trump tha se ishte “tepër i zënë”, ndërsa Pheniani nuk dha asnjë reagim zyrtar.

Koreja e Veriut “tregon muskujt” ndaj Uashingtonit dhe Seulit

Lëvizje e madhe nga Uashingtoni për Seulin

Gjatë qëndrimit në Seul, Trump bëri një gjest të rëndësishëm ndaj aleatit jugkorean, duke i dhënë autorizimin për të ndërtuar një nëndetëse me energji bërthamore – një teknologji që e zotërojnë vetëm disa vende në botë.

Vetëm disa ditë më pas, ministri amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, vizitoi kufirin ndërkorean së bashku me homologun e tij jugkorean, ku të dy ri-konfirmuan aleancën e fortë dypalëshe.
Sipas analistëve, ky projekt pritet të shkaktojë një reagim agresiv nga Pheniani.


Në horizont: një tjetër test bërthamor

Ndërkohë, ligjvënës jugkoreanë, të informuar nga shërbimet e inteligjencës, paralajmëruan këtë javë se Koreja e Veriut është gati për testin e saj të shtatë bërthamor, nëse Kim Jong Un jep urdhrin përfundimtar.

Në këtë klimë tensioni të lartë, rajoni i Gadishullit Korean duket sërish në prag të një përshkallëzimi të ri ushtarak, me Phenianin që sfidon hapur Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj aziatikë./VERSUS

Poll