Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez ka kundërshtuar me vendosmëri propozimin e bërë nga presidenti amerikan Donald Trump për të zhvendosur me forcë palestinezët nga Rripi i Gazës.
Sanchez deklaroi se Spanja nuk do të lejojë zbatimin e një plani të tillë.
Duke folur në një organizim të Partisë Socialiste të Punëtorëve në San Sebastian, në veri të Spanjës, Sanchez bëri thirrje për respektimin e ligjit ndërkombëtar në Gaza, ashtu si në pjesë të tjera të botës.
Ai theksoi se palestinezët duhet të qëndrojnë në Palestinë dhe izraelitët në Izrael, duke jetuar në paqe, harmoni dhe siguri.
“Asnjë transaksion i pasurive të paluajtshme nuk mund të fshehë të keqen, turpin dhe krimet kundër njerëzimit që Gaza ka dëshmuar në vitet e fundit”, tha Sanchez.
Raportohet se ai i kërkoi komunitetit ndërkombëtar të refuzojë planin e Trumpit për zhvendosjen e palestinezëve, duke përsëritur qëndrimin e vendosur të Spanjës kundër tij.
“Spanja nuk do ta lejojë këtë”, pohoi ai. Versus.al







