Policia spanjolle ka arrestuar pesë persona, përfshirë prindërit e një vajze 14-vjeçare, të cilën e shitën në rajonin e Navarrës në këmbim të 5.000 eurove, pesë shishe uiski dhe ushqime bazë. Çifti blerës nga Katalonja donte që vajza të martohej me djalin e tyre.
Në muajin janar, një familje nga Navarra kishte shitur vajzën e tyre të mitur, e cila është gjetur së fundmi nga policia. Sipas hetimeve, vajza është detyruar nga blerësit një familje nga rajoni i Lleidës të lypte në një supermarket në qytetin Borges Blanques.
“Forcat Mossos d’Esquadra (policia katalane) e kanë dërguar vajzën në një qendër mbrojtjeje, ku po merr kujdes dhe mbështetje të specializuar,” thuhet në deklaratën zyrtare të autoriteteve. Vajza nuk ndiqte më shkollën në kohën kur u gjet.
Autoritetet spanjolle kanë arrestuar çiftin blerës dhe djalin e tyre, si edhe prindërit biologjikë të vajzës. Në total, pesë persona janë vënë në pranga.
Të gjithë akuzohen për trafikim të qenieve njerëzore me qëllim martesash të detyruara, një vepër e rëndë penale sipas ligjeve spanjolle.
Hetimet vazhdojnë për të zbuluar nëse familja blerëse ka qenë e përfshirë edhe në raste të tjera të ngjashme të shfrytëzimit të të miturve.
