E gjithë Italia, nga Veriu në Jug, përfundoi nën ujë, e pushtuar nga vala e motit të keq që paralizoi edhe Sicilinë, e cila prej muajsh ishte goditur nga një thatësirë e madhe. Situatë paraqitet të jetë kritike në Emilia Romagna pas reshjeve të orëve të fundit, në Bagnacavallo. Në zonën e Ravenës, u urdhërua evakuimi total i zonave tashmë të prekura nga dallgët e mëparshme të motit të keq. Në Cesenatico, në vetëm pak orë ranë 70 milimetra shi, duke shkaktuar krizë në një pjesë të kanalizimeve dhe nënkalimeve, si dhe u pezullua qarkullimi hekurudhor.
Për fat të keq, një person humbi jetën në Bolonja, duke shënuar kështu viktimën e parë nga moti i keq në Itali. Ai ishte 20 vjeç dhe po udhëtonte me makinë bashkë me të vëllanë, kur makina e tyre u pushtua nga uji që kishte vërshuar në zonë. 20-vjeçari humbi jetën, ndërsa i vëllai arriti të shpëtonte.
Ishulli Stromboli u godit nga një stuhi shiu dhe balte që pushtoi rrugët dhe bllokoi banorët brenda shtëpive të tyre duke e bërë të domosdoshme ndërhyrjen nga emergjencat civile.
Reshje të dendura shiu përfshinë edhe Veneton, ku liga e futbollit amatore ka urdhëruar pezullimin e të gjitha ndeshjeve të planifikuara për në fundjavë. Një rrëshqitje dheu në zonën e Kazinosë në Ellera, një fshat i Albisola Superiore (Savona), izoloi pesë shtëpi. Shiu i vazhdueshëm, i cili preku për orë të tëra Marche, shkaktoi përmbytje dhe shqetësime veçanërisht në zonën bregdetare midis Senigallia dhe Ancona. Versus.al