
Interpelanca urgjente me ministren e Shëndetësisë, Albana Koçiu është përfshirë nga kaosi për shkak se deputetët e opozitës kërkuan dorëheqjen e ministres për skandalin e zbuluar në spitalin e Onkologjikut.
Deputetët u ranë tavolinave, ndërsa kryeparlamentarja Lindita Nikolla u kërkoi që të ruanin qetësinë përndryshe të ndërpritej interpelanca. Vetë ministrja, tha se mjekët abuzues do të ndëshkohen dhe shtoi se do të ketë një rishikim për të bërë ndryshime në ligjin për mjekët.
Koçiu: Abuzuesit do marrin ndëshkimin e merituar dhe do ketë ndryshime në ligjin e mjekut. Ju e dini se ministria është për të mbështetur rregullat dhe procedurat. Ne flasim çdo ditë për autonominë e mjekëve.
Nikolla-deputetëve të PD: Uluni në vend, nëse nuk doni interpelancë, e ndërpresim!
Koçiu: Unë jam këtu për t’ju përgjigjur shqetësimeve që ne kemi. Shpresoj që shëndeti riprodhues i grave dhe vajzave të mos bëhet pjesë e debateve. Pyetjet tuaja tendecioze nuk kanë qëllim të marrin informacion por të krijojnë një debat shterpë.
Debati më pas u përqendrua sërish në projektligjin për nënat surrogato, për të cilin deputeti Tritan Shehu tha se sjell shkatërrimin e qelizës bazë të familjes shqiptare.
Në reagimin e bërë pas zbulimit të skandalit në spitalin e Onkologjikut, Koçiu njoftoi shkarkimin e zv.drejtoreshës së QSUT-së Brikena Qirjazi dhe të mjekëve, Edmond Gashi e Alketa Ymeri (Pere) të përfshirë në skandalin ku u zbulua se nuk ofronin shërbim për pacientët e sëmurë me kancer dhe se i orientonin drejt klinikave private. Koçiu në një dalje për mediat dje, pas mbledhjes së qeverisë, bëri me dije se do të ndërmerren ndryshime në ligjin për Urdhrin e Mjekut sa i takon sanskioneve ndaj atyre të cilët e shohin shërbimin ndaj jetëve të njerëzve si biznes dhe mundësi për t’u pasuruar në shkelje të ligjit. Versus.al







