Çfarë do të gjeni në brendësi
*Një ngjarje e rëndë tronditi Durrësin pasditen e djeshme rreth orës 18:00 pasi në lagjen nr.16 u gjet i vdekur i moshuari Paulin Gina. *82 vjeçari kishte plagë të shumta në fytyrë e trup të shkaktuara nga goditjet me mjet prerës. *Ai u gjet vetëm në banesën ku jetonte vetëm, ndërsa familjarët që jetonin jashtë vendit kishin bërë denoncimin pasi nuk kishin arritur të kontaktonin me të moshuarin. *Autori Fatjon Janina u kap vetëm pas disa orësh kërkimi. 39 vjeçari pranoi krimin në polici, por pretendoi se çdo gjë e kishte kryer për shkak të një borxhi prej 200 mijë lekësh që i moshuari i kishte.
‘’U përleshëm për 1 orë’’, autori pranon se vrau fqinjin e moshuar: Më kishte borxh 200 mijë lekë

Durrës- Fatjon Janina, 39 vjeçari që vrau me thikë e çekiç fqinjin e tij të moshuar Paulin Gina, ka pranuar krimin e rëndë gjatë deklaratës në polici.
Ai deklaroi se kishte shkuar në shtëpinë e fqinjit pasi i moshuari i kishte 200 mijë lekë borxh. Madje ai ka pretenduar edhe se 82 vjeçari i ndjerë ka tentuar ta godasë me çekiç. Sipas autorit, ngjarjen e rëndë e ka kryer pas ofendimeve të vazhdueshme të viktimës.
“Po unë e vrava Paulinin. Me kishte 200 mije lekë borxh, e pashë dje që po dilte nga shtëpia nga kati i 5 ku unë banoj te sheshpushimi i shkollave. I thashë hajde flasim për atë borxhin që më ke se më duhen lekët për vitin e ri. U futëm të shtëpia e tij. Debatuam aty dhe me tha nuk kam lekë. Me ofendoi, me tha drogaxhi. Aty e humba qetësinë, u përleshem afro 1 orë.
Ai donte të me godiste me çekiç, unë gjeta një thikë e qëllova disa herë. Pastaj e qëllova edhe disa here me çekiç derisa ngeli i shtrirë në tokë. Më pas mora thikat dhe çekiçin dhe i dërgova në shtëpinë time. Kur dola mbyllja edhe derën e jashtme të tij me çelës. Shkova në shtëpi fsheha thikat dhe çekiçin, ndërrova edhe rrobat e gjakosura dhe më pas në gjendje të rënduar psikologjike ika edhe nga shtëpia unë nga frika e policisë”, tha 39 vjeçari Fatjon Janina.
Ngjarja raportohet të ketë ndodhur gjatë pasdites së djeshme në lagjen nr.16 në Durrës. Janina ka shkuar në banesën e të moshuarit, ndërsa më herët kishte raportime se autori mund ta ketë kryer krimin edhe për shkak se i moshuari mund të mos ketë pranuar t’i jepte para borxh. Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Versus.al
Zbardhet vrasja e të moshuarit në Durrës, arrestohet fqinji që e masakroi me thikë e çekiç (EMRI)
Durrës- Policia ka zbardhur ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme në lagjen e plazhit ku 82 vjeçari Paulin Gina u gjet i masakruar me thikë brenda banesës së tij.
Në kërkim u shpall 39 vjeçari Fatjon Janina si autor i dyshuar i krimit të rëndë, i cili u arrestua pas disa orësh. Ekspertiza mjekoligjore konstatoi dëmtime të shumta me çekiç dhe thikë në trupin e viktimës.
Autori rezulton të ketë qenë fqinj me të moshuarin dhe pas ngjarjes së rëndë ka mbyllur me çelës derën e banesës së viktimës dhe është arratisur.
Gjatë kontrollit në banesën e autorit të dyshuar, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provave materiale 2 thika, 1 çekiç dhe veshjet që dyshohet se ka patur autori gjatë kryerjes së krimit.
Mjeti prerës, çekiçi dhe veshjet me njolla gjaku janë dërguar në Institutin e Policisë Shkencore, për ekzaminime të mëtejshme. Ngjarja e rëndë u zbulua pasditen e djeshme rreth orës 18:00 pasi familjarët e të moshuarit që jetonte vetëm, nuk kishin arritur të komunikonin me të nga jashtë shtetit. Versus.al
E rëndë në Durrës/ Një person gjendet i masakruar me thikë brenda banesës (EMRI)
Durrës- Një ngjarje shumë e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në qytetin bregdetar ku një i moshuar është gjetur i vrarë me thikë brenda banesës së tij.
Viktima është identifikuar si 82-vjeçari Paulin Gina, i cili sipas të dhënave paraprake ka shenja plagësh thike në fytyrë. Paraprakisht deklarohet se i moshuari jetonte vetëm, pasi të afërmit e tij ndodheshin jashtë vendit, në Itali. Ka qenë familja që ka ngritur alarmin, pasi nuk ka arritur të kontaktojë me të nëpërmjet telefonit.
Pas i moshuari nuk i është përgjigjur, familjarët kanë njoftuar policinë.
Forcat e rendit dhe zjarrfikësja kanë shkuar në banesën e tij dhe kanë konstatuar 82-vjeçarin pa shenja jete dhe me shenja të shkaktuara nga një mjet prerës në fytyrë. Versus.al







