Çfarë do të gjeni në brendësi
*Kryetari i Bashkisë Tiranës, Erion Veliaj ka sulmuar sërish prokurorin Olsi Dado nga qelia e paraburgimit në Durrës *Veliaj ka publikuar një pjesë të debatit me prokurorin gjatë seancës së 12 shkurtit kur u vendos dhe arrestimi me burg për kryebashkiakun *Në procesverbalin e publikuar nga Veliaj shkruhej se prokurori Dado ka ofenduar kryebashkiakun me fjalët ‘ndyrësirë’ , “s’ke turp tregon banesën e prokurorit”. *Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka mohuar pretendimet e Veliajt *Në reagimin zyrtar GJKKO thekson se nga verifikimi i bërë në sistemin audio të seancës gjyqësore për marrjen në pyetje të Erion Veliajt, nuk rezulton që të jetë përdorur fjala “ndyrësirë” nga ana e prokurorit Dado kundrejt kryebashkiakut *Avokati i Veliajt është shprehur se i ka vënë në dispozocion klientit audion e seancës dhe se transkriptimi i saj është bërë nga persona të tjerë
Del audio nga seanca e Veliajt, çfarë u tha në bisedën mes tij dhe Prokurorit Dado
Publikohet audio nga seanca e Kryetarit të Bashkisë, Erion Veliajn, në të cilën është zbardhur një pjesë nga biseda mes tij dhe prokurorit Ols Dado, pas akuzave dhe replikave të vazhdueshme mes tyre.
Ky material bëhet publik pas akuzave të kreut të Bashkisë ndaj Prokurorit Dado se ka përdorur fjalë fyese, konkretisht fjalën “ndyrësirë” ndaj tij, gjatë seancës gjyqësore.
Sipas GJKKO-së nga verifikimet e bëra në sistemin audio të kësaj seance gjyqësore fjala 'ndyrësirë' nga ana e prokurorit Olsi Dado nuk është përdorur në asnjë moment.
Pjesë nga dialogu:
Veliaj: Aty ku ndërtoi vetëm ai që ka pronat...
Olsi Dado: E di se ku shkon ky merret me mua ky!
Veliaj: Duhet të shpjegohet si funksionon...Pra lejen nuk e merr organizata...
Olsi Dado:S’ke turp që thua banesën e prokurorit këtu! Thua banesën e prokurorit këtu. Ça është ky kërcënim është ky! Është kërcënim ky, tregon banesën?
Përplasja e Dados me Veliajn në sallë ka vijuar deri në momentin kur prokurori Bano ka tërhequr vëmendjen. /Versus.al/
View this post on Instagram
Prokurori e ofendoi "ndyrësirë"? Avokati i Veliajt: I kam dhënë klientit audion e seancës! Transkriptimi është bërë nga persona të tjerë

I burgosur prej 14 ditësh me akuzat e korrupsionit dhe pastrimit të parave, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj po bën traditë publikimin e postimeve të gjata në faqen e tij në “Facebook”, të mbushura me fyerje dhe kërcënime në adresë të prokurorit Olsi Dado, por edhe të gjyqtarit të masës së sigurisë, Erjon Bani.
Të hënën, Veliaj publikoi një imazh, që sipas tij ishte faksimile e një pjese të dialogut të ndodhur në sallë e gjyqit.
“Ky është një nga dialogjet në thertoren e Erion Kasapit! Lexojeni se me çfarë gjuhe flet prokurori i SPAK-ut, aq të ulët sa edhe Erion Kasapi duket xhentëllmen para tij!”, shkroi Veliaj.
Në faksimilen e transkriptit të publikuar nga Veliaj, prokurori Olsi Dado pretendohet t’i ketë thënë atij: “Ndyrësirë”. Por e pyetur nga BIRN, Gjykata e Posaçme e mohoi kategorikisht këtë pretendim, duke deklaruar se transkripti i seancës i publikuar nga Veliaj nuk ishte i vërtetë.
“Pjesa e procesverbalit të publikuar nga personi nën hetim, Erion Veliaj në rrjetin e tij social “Facebook” është e pavërtetë”, deklaroi GJKKO në përgjigje të pyetjeve nga BIRN.
Gjykata shtoi se ndryshe nga sa pretendon kryebashkiaku në Facebook, fjala “ndyrësirë” nuk është përdorur në asnjë rast.
“Nga verifikimi i bërë në sistemin audio, të seancës gjyqësore për marrjen në pyetje të personave nën hetim, Erion Veliaj, etj., të datës 12.02.2025, konkretisht intervali kohor 6:34:02 PM – 6:34:57 PM (të cilit i referohet i hetuari Erion Veliaj në postimin e tij) si dhe nga procesverbali i seancës gjyqësore, nuk rezulton që të jetë përdorur fjala “ndyrësirë” nga ana e prokurorit Ols Dado në asnjë moment,” thuhet në përgjigjen e Gjykatës së Posaçme.
Në një reagim të ngjashëm, edhe SPAK mohoi vërtetësinë e procesverbalit të publikuar nga Veliaj.
“Procesverbali i seancës gjyqësore i datës 12.02.2025, në faqen 292, e numërtuar nga Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) dhe audio e kësaj seance nuk përfshijnë fjalët e përmendura nga personi nën hetim, E.V., të publikuara sot në media. Kjo mësipër është faqja 292 e procesverbalit të skanuar, e firmosur nga sekretarja e GJKKO-së,”- thuhet në njoftimin e SPAK, të cilit i bashkëlidhet pjesë nga procesverbali i saktë i seancës.
I pyetur nga BIRN, avokati i Veliajt, Ermir Beta tha se e kishte të vështirë të ishte i saktë për termat e përdorur në seancë.
“Unë i kam vënë në dispozocion klientit audion e seancës. Transkriptimi i saj është bërë nga persona të tjerë. Seanca e datës 12 shkurt ka qenë plot debate, përtej sferës juridike, ndaj e kam të vështirë të jem i saktë për çdo term që ka përdorur prokurori ndaj klientit në seancë,”- tha Beta për BIRN.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj akuzohet se së bashku me bashkëshorten Ajola Xoxa ndërtuan një mekanizëm kompleks korruptiv për të përvetësuar fondet publike, të cilat transferoheshin në formë ryshfeti nga kompani kontraktore dhe OJF përfituese të fondeve të Bashkisë së Tiranës.
Veliaj dhe Xoxa i kanë mohuar akuzat, ndërkohë që e kanë portretizuar veten si të persekutuar politikisht nga prokurori i SPAK, Olsi Dado./BIRN
‘Ndyrësirë’, GJKKO përgënjeshtron deklaratat e Erion Veliajt për prokurorin Ols Dado
GJKKO (Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar) ka reaguar pas deklaratave të publikuar në rrjete sociale nga kryebashkiaku Erion Veliaj. Në reagimin e saj GJKKO shkruan se në lidhje me vërtetësinë e pjesëve të procesverbalit të seancës gjyqësore të datës 12.02.2025 të publikuara nga personi nën hetim Erion Veliaj janë të pavërteta.
Sipas GJKKO-së nga verifikimet e bëra në sistemin audio të kësaj seance gjyqësore fjala 'ndyrësirë' nga ana e prokurorit Olsi Dado nuk është përdorur në asnjë moment.
Reagimi i GJKKO-së:
Nisur nga interesimi i lartë dhe i vazhdueshëm nga ana juaj, duke paraqitur dhe kërkesa
për informacion, në bazë të ligjit Nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, i ndryshuar,
në lidhje me vërtetësinë e pjesës së procesverbalit të seancës gjyqësore, të datës
12.02.2025, të publikuar ditën e sotme nga personi nën hetim Erion Veliaj, në rrjetin e tij
social në “Facebook”, ju bëjmë me dije se nuk është i vërtetë.
Nga verifikimi i bërë në sistemin audio, të seancës gjyqësore për marrjen në pyetje të
personave nën hetim Erion Veliaj, etj., të datës 12.02.2025, konkretisht intervali kohor
6:34:02 PM – 6:34:57 PM (të cilit i referohet i hetuari Erion Veliaj në postimin e tij) si
dhe nga procesverbali i seancës gjyqësore, nuk rezulton që të jetë përdorur fjala
“ndyrësirë” nga ana e prokurorit Ols Dado në asnjë moment.
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj në një status të publikuar në rrjete sociale publikoi variantin e tij të dialogut me prokurorin Dado, ku sipas tij ku i fundit e kishte ofenduar duke i thënë ndyrësirë. /Versus.al

'Ndyrësirë', Veliaj publikon pjesë nga seanca në GJKKO: Lexojeni se me çfarë gjuhe flet prokurori i SPAK-ut
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka reaguar sërish ditën e sotme në kanalet e tij të komunikimit, duke publikuar një pjesë nga dialogu i tij me Prokurorin Olsi Dado në seancën gjyqësore ku iu komunikua masa ‘’arrest në burg’’.
Veliaj shkruan me ironi se ky dialog është zhvilluar në thertoren e Erion Kasapit (në seancën e gjyqësore).
Postimi i Erion Veliajt:
Ky është një nga dialogjet në thertoren e Erion Kasapit! Lexojeni se me çfarë gjuhe flet prokurori i SPAK-ut, aq të ulët sa edhe Erion Kasapi duket xhentëllmen para tij!
Kjo gjuhë dhe atmosferë, sikur Sigurimsat janë kthyer nga penxherja, pasi i nxorrëm nga dera, nuk duhet toleruar më./Versus.al







