Live Updates /

Rama në njësinë 7 në Tiranë: Kriza e karburanteve po ndodh në të gjithë dynjanë! Kryeministri komenton përplasjet në mbledhjen e grupit: Merren me ‘çfarë i thash njërit e tjetrit!

Shkruar nga Versus

Çfarë do të gjeni në brendësi

3 Postime
2 ORE ME PARE

Rama për çmimin e naftës: Ka vende që e kanë më të lartë se ne! Po përgatitim kompani publike për furnizim dhe rezervë strategjike!

Rama në njësinë 7 në Tiranë: Kriza e karburanteve po
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama ka komentuar rritjen e çmimit të naftës, duke u shprehur se situata aktuale është pasojë e një krize globale që po prek shumë vende.

Ai theksoi se çmimi i naftës është rritur në mbarë botën dhe se Shqipëria nuk bën përjashtim, ndërsa shtoi se në vend aplikohet edhe taksa e qarkullimit, e cila ndikon në nivelin përfundimtar të çmimit.

Sipas Ramës, heqja e kësaj takse do të ulte çmimin e karburantit, por do të rrisë ndjeshëm kostot për qytetarët që kanë mjete, ndaj sistemi aktual synon që “ata që shpenzojnë më shumë, të paguajnë më shumë”.

Kryeministri njoftoi gjithashtu një reformë të re në tregun e naftës, përmes krijimit të një kompanie publike që do të merret me rezervën strategjike dhe furnizimin me karburant, me synim ndikimin në stabilizimin e çmimeve dhe mbrojtjen e konsumatorëve.

Kryeministri Rama:

Tani besoj që njerëzit e kanë kuptuar që po përballemi me një krizë që ndodh në të gjithë dynjanë. Çmimi i naftës është rritur kudo, në vende të tjera ka shkuar edhe shumë më lartë se këtu. Çfarë po bëjmë, çfarë duhet të bëjmë dhe çfarë mund të bëjmë?

Zakonisht, është më i lartë se disa vende rreth e rrotull, sepse ne kemi edhe taksën e qarkullimit. Nëse e heqim taksën, çmimi do të bjerë, por ama të gjithë ata që kanë një mjet do të duhet të paguajnë katërfishin e asaj që paguajnë sot. Në vend se t’ju ngarkojmë me katërfishin, ne kemi menduar që më mirë, kush shpenzon më shumë naftë, paguan më shumë; kjo është logjika. Në një farë mënyre, ata që djegin më shumë karburant janë edhe ndotës.

Për këtë arsye, ne kemi marrë përsipër të bëjmë një transformim të thellë për të gjithë mënyrën se si zhvillohet aktiviteti në tregun e naftës, duke krijuar një kompani publike, që do merret me rezervën strategjike të naftës. Dhe nga ana tjetër, duam që kjo kompani të jetë edhe furnizuese e naftës, dhe duke qenë furnizuese, të ndikojë në çmimin e naftës duke mbrojtur interesat e konsumatorëve.Versus.al

2 ORE ME PARE

“Çfarë i tha Edi Rama njërës apo tjetrit?”/ Kryeministri flet pas përplasjeve në mbledhjen e PS: Ishte spektakolare, e pabesueshme...

Rama në njësinë 7 në Tiranë: Kriza e karburanteve po

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me asamblenë socialiste të Njësisë 7 në Tiranë, ku ka komentuar edhe raportimet për përplasje në mbledhjen e fundit të zgjeruar të grupit parlamentar.

Duke mos i mohuar episodet, Rama u shpreh se ato i janë dukur “spektakolare” dhe “të pabesueshme”, duke theksuar se mbledhjet e tilla zhvillohen rregullisht për të diskutuar çështje të rëndësishme si pronat, kadastra dhe reforma territoriale.

Ai kritikoi mënyrën se si, sipas tij, disa media raportojnë mbi këto takime, duke u fokusuar në detaje të brendshme politike dhe jo në problemet reale të qytetarëve.

“Njerëzit kanë votuar dhe duan të dinë gjëra të tjera. Janë të shqetësuar për çmimin e naftës… kjo është jeta reale,” u shpreh Rama, duke iu referuar edhe ndikimit të konflikteve ndërkombëtare në rritjen e çmimeve.

Kryeministri Rama: 

Ishte spektakolare, e pabesueshme edhe për mua që, besoj që nuk ka më çfarë më surprizon, që ne mblidhemi në një mbledhje të zgjeruar të grupit parlamentar me qeverinë, që e bëjmë çdo fund muaji, për të diskutuar tema specifike, për të dëgjuar qeveria deputetët dhe anasjelltas, i kushtojmë orë të tëra çështjes së pronave, shërbimit të kadastrës, ecurisë së reformës në kadastër, etj.

Pastaj flasim për reformën administrative territoriale ku bashkëkryetari prezanton gjithë analizën e bërë këto muaj të të dhënave demografike, financiare, skenarët etj etj, dhe pastaj bëjmë një sesion tjetër për temat e komunikimit dhe për këtë fushatë brenda partisë dhe rreth partisë fillojmë në orën 11 dhe dalim në orën 6 dhe mediat kombëtare, nuk po diskutoj tenxheret e vogla, apo ato të mbushura me helm që në mëngjes, por media kombëtare.

Raportojnë për publikun çfarë i tha Edi Rama njërës e çfarë i tha tjetrit. Natyrisht që shqetësimi nuk është ky. Njerëzit kanë votuar dhe duan të dijnë gjëra të tjera. Janë të shqetësuar për çmimin e naftës, kjo është jeta reale. Çmimi që rritet si rezultat i një lufte, që as e kemi hapur ne, as na ka pyetur njeri ne për ta hapur dhe që është një luftë kundër një vendi ku ka një regjim armiqësor ndaj nesh si Shqipëri.Versus.al

2 ORE ME PARE

Rama për zgjedhjet vendore 2027: PS do të jetë fituese, kur të tjerët merren me ne, ne merremi me veten!

Rama në njësinë 7 në Tiranë: Kriza e karburanteve po
Edi Rama

Në mbledhjen e Asamblesë së Partia Socialiste e Shqipërisë në Njësinë 7 në Tiranë, Kryeministri Edi Rama ka folur për zgjedhjet vendore të vitit 2027, duke shprehur bindjen se PS do të dalë fituese.

Rama u shpreh se procesi i përgatitjeve ka nisur që më herët dhe se puna po zhvillohet në gjithë territorin e vendit, duke përfshirë si organizimin e brendshëm të partisë, ashtu edhe takimet me mbështetësit.

“Besoj që jeni të informuar që kemi nisur një proces gjithëpërfshirës dhe të shtrirë në krejt territorin e Shqipërisë… Jam i bindur që do jemi fitues,” u shpreh Rama, duke theksuar se PS po fokusohet te puna e brendshme ndërsa, sipas tij, kundërshtarët merren me të.

Kryeministri shtoi se ky proces synon të “mbjellë rezultatin” për zgjedhjet e ardhshme vendore dhe se është koha e duhur për përgatitjet afatgjata.

“Besoj që jeni të informuar që kemi nisur një proces gjithëpërfshirës dhe të shtrirë në krejt territorin e Shqipërisë për të bërë një rrugë e dy punë, pasi nga një anë kemi zgjedhjet në organizatat socialiste dhe nga ana tjetër është me vend që të bëjmë një proces bashkëbisedimi në radhë të parë brenda nesh.

Paralelisht të krijojmë kushtet që të bashkëbisedojmë me mbështetësit tanë. Në çdo njësi ka shumë gjëra për të folur. Nuk ka të bëjë me ne si parit, por me ne si forcë udhëheqëse në krye të vendit.

Jemi tamam në kohë për të filluar që të mbjellim rezultatin që do të korrim në zgjedhjet e ardhshme vendore që do të jenë pas 14-15 muajve. Jam i bindur që do jemi fitues, për një arsye tjetër, që është arsyeja që na mbledh sot. I fillojmë përgatitjet shumë para të tjerëve. Kur të tjerët merren me ne, ne merremi me veten.

Dua ta filloj këtë bisedë me ju nga Tirana, por nuk do ndalemi vetëm këtu. Në këtë proces është shumë e rëndësishme të flasim për një sërë gjërash që merren të mirëqena”, tha Rama./Versus.al

Tags:

edi rama

Poll