Çfarë do të gjeni në brendësi
*Sali Berisha u paraqit në SPAK sot rreth orës 12:00 ku qëndroi për rreth 20 minuta teksa iu komunikua akuza për veprën penale “korrupsion pasiv kryer në bashkëpunim” lidhur me atë që njihet si afera e privatizimit të ish-kompleksit Partizani. *Në daljen e Prokurorisë së Posaçme Berisha ironizoi prokurorët e SPAK duke i konsideruar ata si pjesë të një “organizate kriminale” që merr urdhra politikë nga kryeministri Edi Rama. *Kryedemokrati mohoi që të kishte firmosur në dosjen për të cilën është marrë i pandehur edhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi. Sipas Berishës, nuk ka asnjë provë që dëshmon ndonjë shkelje të bërë nga ana e tij sa i takon privatizimit të ish-kompleksit sportiv. *Sa i takon përballjes me Ramën, ish-kryeministri u zotua se shumë shpejt “do ta hedhë përdhe” kreun e qeverisë duke mos specifikuar sesi do të arrihet një gjë e tillë. Me të përfunduar fjalën para gazetarëve, Berisha u nis drejt banesës së tij ku prej 255 ditësh mbahet nën arrest shtëpie për aferën e privatizimit të ish-kompleksit Partizani. *Në hyrjen e SPAK-ut u mblodhën qindra mbështetës të cilët kërkuan lirimin e Berishës nga arresti shtëpiak me pretendimin se të gjitha akuzat ndaj tij janë të urdhëruara politikisht. Mes tyre kishte edhe deputetë, një prej të cilëve Agron Gjekmarkaj. Ky i fundit deklaroi për herë të parë se lidhur me këtë çështje për të cilën Berisha u mor sot i pandehur, do të ketë protesta të grupit parlamentar demokrat edhe në institucionet europiane. *Pas paraqitjes në SPAK të Sali Berishës, është paraqitur pranë Strukturës së Posaçme edhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi për tu njohur me akuzat. *Ai foli për mediat pak para se të hynte në institucionin e drejtësisë së re se dosja ‘Partizani’ është një çështje civile dhe se i doli për zot tokës së tij. *Pas 20 minutash Jamarbër Malltezi doli nga SPAK ku dhe u njoh me akuzat. *Malltezi u shpreh para gazetarëve se prokurorët e SPAK kanë vendosur një akt akuzë e cila përmban gënjeshtra të trasha.
VIDEO/ Jamarbër Malltezi del nga SPAK me foto në dorë, Prokuroria e Posaçme i komunikon zyrtarisht akuzat
Jamarbër Malltezi ka dal pas 20 minutash nga Prokuroria e Posaçme, ku dhe është njohur me akuzat.
Akuzat që SPAK i ka komunikuar Malltezit janë “korrupsion pasiv” dhe “pastrim parash”.
Malltezi:
Prokurorët e Tiranës të tmerruar nuk flisnin dot, nuk shikonin në sy. Kanë vendosur një akt akuzë e cila përmban gënjeshtra të trasha, që në faqen 5 thotë që ndërrimin e destinacionit e bëri Sali Berisha, kur e bukura është që në dokumentet e veta e kanë që e ka bërë Edi Rama dhe pa kërkesë nga pala e kërkuar.
Kanë gënjyer dhe janë për tu keqardhur, kur pushteti i përçmon aq trashë dhe i bën të gënjejë aq trashë sa të mos vendosin as planin e 2008 që e ka miratuar Edi Rama me vendimin e Këshillit bashkiak nr. 238 të datës 27 dhjetor 2008.
E fshehin, pra njerëz që gënjejnë, fshehin dokumente apo duhen thjeshtë mëshiruar.
Sa herë të shikoni këtë çështje shikoni keto foto. Nga njëra anë keni Edi Ramën që nxjerr 4 VKM për të vjedhur tokën e pronarëve privat dhe ndërtesë dykatëshe për një shkollë publike dhe nga ana tjetër kemi disa familje pronare, që i ndërtojnë falas shtetit kopsht dhe çerdhe më të bukurin në Tiranë, përveç se sistemojnë 41 familje. Ky është dallimi.
Versioni i Edi Ramës është ta vjedhë tokën me gjithë ndërtesë dy katëshe për 1 euro.
Versioni i palës pronare, ta blejë sipas ligjeve të shtetit dhe të mos nxjerrë asnjë nga ata hallexhinj informal që ishin aty në rrugë, por ti sistemojë.
Jemi në situatë afërmendsh.
Unë pashë këto gënjeshtra dhe këto ngrita dhe aty isha veç 5 minuta dhe nuk pashë shumë gjëra.
Malltezi paraqitet në SPAK: Është çështje civile, unë e mora dhe i dola për zot tokës time
Pas paraqitjes në SPAK të Sali Berishës, është paraqitur pranë Strukturës së Posaçme edhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi për tu njohur me akuzat.
Ai foli për mediat pak para se të hynte në institucionin e drejtësisë së re.
Malltezi: Pas katër vitesh sa çfarë ka marrë Lufta e Parë Botërore pasi hetuan Sali Berishën në tre breza, bazuar në një kallzim të rreme të koordinatorit të bandave kriminale të Taulant Ballës i cili është i lirë dhe nuk është në ndjekje penale, pasi kanë hetuar veprimtarinë e Partisë Demokratike që prej 20 vitesh deri te kandidatja profesoreshë Ledina Agolli në Korçë gjoja pjesë e këtij hetimi që nuk kishte të bente fare.
Pasi mbajnë arrest politik anti-Kushtetues kryetarin e opozitës në Shqipëri, Sali Berishën, bazuar në urdhërin politik të Edi Ramës të dhënë në kongresin e PS 9 prill 2022 dhe në Asamblenë e PS më 7 maj 2022, rezulton se nuk ka çështje penale, mungon fakti penal.
Kjo është thjesht një çështje Civile e pronarëve të tokës që morën tokën dhe zhvilluan tokën e tyre. Shteti nuk ka humbur asnjë cent, por siç e tha Prokuroja e emëruar nga Taulant Balla korrupsioni bëhet duke zbatuar ligjin, këto janë thagma të reja që do mësohemi.
Nuk ka asnjë zyrtar të asnjë lloj niveli të hetohet për çfarë do lloj elementi të parregullt.
Të gjithë zyrtarët që nga Fatos Nato kanë zbatuar ligjin.
Nuk ka asnjë provë që tregon se Berisha ka ndikuar, as nuk i përmendet emri. Edi Rama i fali vëllait të tij tokë mes Tiranës.
Zhvillimi i pronës është kryer nga pasardhësit. Asnjë nga tre partner nuk kanë marrë asnjë cent nga qeverisa e PD-së. SPAK ka fshehur dhe gënjyer me dokumente zyrtare. Gënjyen kur thanë Berisha ndërroi destinacionin e tokës, atë e ka bërë Edi Rama. Por jemi në institucionin e Edi Ramës, prokurorët janë patronazhistë, nuk presim ndonjë gjë tjetër./Versus.al
U mor i pandehur për ‘Partizanin’, Berisha kandidat për kryeministër në 2025-ën: Të më sfidojë kush të dojë
Tiranë- Pasi doli nga ambientet e SPAK, Sali Berisha konfirmoi marrjen e tij si i pandehur për aferën e privatizimit të ish-kompleksit Partizani, ndërsa u pyet edhe nëse do të kandidojë si kryeministër edhe pse është nën arrest shtëpie.
Berisha u përgjigj se pavarësisht masës së arrestit shtëpiak ndaj tij, ai do të kandidojë për postin e kryeministrit duke ftuar të gjithë brenda PD që të kandidojnë nëse kanë pretendime për të qenë në krye të qeverisë së vendit pas zgjedhjeve parlamentare të 2025-ës.
Berisha: Unë kam dhënë një përkufizim, pas fitores së zgjedhjeve do të ketë një garë për kryeministër, cilido që dëshiron të vijë të sfidojë Sali Berishën.
Në zgjedhje jeni ju kandidat?
Berisha: Padiskutim, padiskutim dhe i fitores. S’ka diskutim ajo/Versus.al
Pas 20 minutash përballje, Berisha konfirmon marrjen si i pandehur nga SPAK: Thonë se më ka korruptuar dhëndri
Pas 20 minutash përballje me prokurorët e SPAK, Berisha bëri me dije se i është komunikuar zyrtarisht akuza e korrupsionit pasiv për aferën e privatizimit të ish-kompleksit të Partizanit.
Berisha hodhi akuza të rënda ndaj SPAK-ut, duke e cilësuar si organizatën kriminale më të rrezikshme në vend dhe që po zbaton urdhërin e kryeministrit Edi Rama për t’u hakmarrë politkisht ndaj tij.
“Dy gjëra. Kjo është piramidë fund e krye mashtrimi. Kjo ishte deklarata ime. Vizitova pjesën muzeale të SKAP-it dhe aty gjendej ora 406 mijë euro e qëndisur me diamante dhurata e Edi Ramës, një fotografi. Gjendej Armand Josifi, gjendej Imer Lala tek i jepte Dumanit 1 milionë euro për pyetjen që nuk i bëri, gjendej Taulant Balla i cili po merrte shpërblimin e Suel Çelës. Gjendeshin horra që shkonin nga gjykatës në gjykatës duke bërë forma nga më të neveritshme të korrupsionit për t’i mbajtur peng ata.
Gjendeshin 300 milionë euro të sterilizimit, 300 milionë euro të Vilma Nushit, 4 miliardë euro të Edi Ramës dhe të Alabarit. Kjo është shpella e krimit të organizuar në Shqipëri dhe Europë. I pandehur u cilësova, me atë akuzë që kanë pasur”- u shpreh Sali Berisha.
Pas deklaratës për mediat, ish-kryeministri u foli mbështetësve të mbledhur për të duke deklaruar se kryeministri Edi Rama do rrëzohet nga pushteti. Ndërsa të gjithë procesin ndaj tij e cilësoi të frymëzuar politikisht.
Padia për privatizimin e ish-kompleksit Partizani u dorëzua në SPAK në vitin 2020 nga Taulant Balla, asokohe kreu i grupit parlamentar të PS duke e akuzuar ish-kryeministrin Sali Berisha se ka ndryshuar nëj sërë ndryshimesh në ligjin e privatizimit me qëllim që të përfitonte dhëndri i tij Jamarbër Malltezi i cili ishte pronar i një toke me sipërfaqe prej 410 metrash katrorë por në fund, sipas akuzës rezulton të jetë pronar i një të tretës së kompleksit ku u ndërtuan 19 kulla.
Ndërkohë, dhëndri i Berishës Jamarbër Malltezi akuzohet se ka përfituar 5.4 milionë euro nga privatizimi i këtij kompleksi. Ndaj tij rëndojnë akuzët për korrupsion pasiv të kryer në bashkëpunim dhe për pastrim parash. Versus.al
Gjekmarkaj paralajmëron protestë në Evropë për Berishën: Nuk kthehemi në Shqipëri pa e diskutuar në KE
Deputeti demokrat, Agron Gjekmarkaj njëkohësisht drejtues politik i PD për qarkun e Lezhës ka deklaruar sot se pasi SPAK të marrë të pandehur ish-kryeministrin Sali Berishës, do të ketë veprime në nivel ndërkombëtar kundër kësaj që ai e konsideroi si një “burgosje politike”.
Gjekmarkaj tha se po bëheshin diskutimet që një grup deputetësh të opozitës të shkojnë në Komisionin Europian dhe institucione të tjera europiane për të ngritur këtë çështje e cila sipas tyre po bëhet për të dëmtuar pluralizmin politik të vendit.
“Besoj se grupi parlamentar nuk do ndalet me kaq po shkojmë drejt një vendimi që të shkojmë dhe të protestojmë sa më shpejt në mënyrë demokratike pranë institucioneve europiane. Do denoncojmë krimin dhe korrupsionin që nuk po gjen dënim në Shqipëri. Nuk do kthehemi nga atje pa diskutuar dhe KE dhe PE. Mendoj se do jemi shumë deputetë të opozitës drejt Europës”- u shpreh Gjerkmarkaj ndër të tjera.
Deputetë dhe ish-zyrtarë të PD janë mbledhur sot para SPAK-ut në shenjë kundërshtie për komunikimin e aktakuzës së SPAK ndaj Berishës në ngarkim për çështjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizani. Qindra mbështetës i janë përgjigjur thirrjes së Flamur Nokës për protestë duke bërë thirrje për lirimin e Berishës nga arresti shtëpiak. Ndërsa vetë kryedemokrati Sali Berisha tha para se të hynte në SPAK se ky ishte një hetim politik i urdhëruar nga kryeministrit Edi Rama për të cilin tha se do ta hedhë “përdhe” me protestat që do të organizohen më tej. Versus.al
Berisha jashtë SPAK-ut: Më kanë hetuar për 3 breza, s'kam firmosur asgjë për privatizimin e ‘Partizanit’
Kryetari i PD, Sali Berisha ka mbajtur një deklaratë për mediat jashtë ambienteve të SPAK-ut para se të hynte në ambientet e Prokurorisë së Posaçme që do të marrë sot të pandehur duke e akuzuar për shpërdorim detyre në aferën e privatizimit të ish-kompleksit Partizani.
Ai tha se nuk ka asnjë provë për shkelje ligjore në privatizimin e ish-kompleksit sportiv duke e konsideruar këtë si një hetim politik të urdhëruar nga kryeministri Edi Rama.
Pjesë nga fjala e Berishës para mbështetësve të tij:
Qytetarë të pranishëm këtu, për tu paraqitur atyre zotimin solemn se Edi Rama jo që nuk do të marrë dot në këtë mënyrë mandat të katërt por shumë shpejt do ta lëshojmë në tokë me pjesën e turpit që ka.
Prokuroria politike e Edi Ramës, SPAK bazuar në kallëzimin e rremë të kryetarit të grupit parlamentar Taulant Balla ka hetuar Sali Berisha në tre breza gjer tek mbesat e tij deri në një kohë kur ato nuk kishin lindur ende. Kanë hetuar veprimtarinë e PD prej 20 vitesh e deri tek kandidatët e bashkisë për 2023-in. Me urdhër politik mercenarët e Edi Ramës mbajnë në arrest kryetarin e opozitës prej 255 ditësh pa asnjë fakt apo dëshmi por veçse me dëshirën e Edi Ramës. SPAK me këtë dosje krijoi një piramidë mashtrimi duke manipuluar qindra dokumente publike dhe la në burg të paligjshëm Sali Berishën me qëllimin për t’i shërbyer Edi Ramës. Nga ky hetim që zgjati 4 vite sa një luftë botërore rezulton se në këtë dosje nuk ka asnjë çështje penale. Shteti nuk ka humbur asnjë qindarkë publike por përkundrazi, ka fituar.
Aty pretendohet se toka nuk u takonte pronarëve. Prokurorët e dinin se ky ishte një mashtrim sepse fletorët zyrtare tregojnë se ajo tokë nuk është shpronësuar. Nga dhjetëra zyrtarë që kanë firmosur kthimin e tokës tek pronarët e ligjshëm, asnjë nuk është në ndjekje penale sepse kanë zbatuar ligjet e vendit. Firma e Sali Berishës nuk ekziston në asnjë prej këtyre dokumenteve. Nuk ka asnjë provë që tregon qoftë edhe një dokument të vetëm për këtë akuzë. Në vitet 2006-2013 nuk ka asnjë ligj për privatizimin. Dhëndri im ka përfituar 410 metër tokë tek klubi partizani. Versus.al
“Më i motivuar se kurrë”, sot merret i pandehur për “Partizanin”, Berisha niset drejt SPAK-ut pas disa muajsh izolim
“Jam më i motivuar se kurrë”, kështu u shpreh kryedemokrati Sali Berisha me të dalë nga banesa e tij ku prej qindra ditësh duke nisur nga dhjetori i vitit të kaluar mbahet nën arrest shtëpie për aferën e privatizimit të ish-kompleksit të Partizanit.
Ai u shpreh i gatshëm t’u përgjigjet pyetjeve të prokurorëve të SPAK-ut të cilët pritet që sot ta marrin zyrtarisht si të pandehur, ndërsa i cilësoi akuzat ndaj tij si “trillime politike”.
I pyetur nga gazetarët nëse PD do të ketë një figurë tjetër si kandidat për kryeministër, Sali Berisha tha se kjo është ajo që kërkon kryeministri Edi Rama.
Pjesë nga komunikimi me gazetarët:
Berisha: Jam më i motivuar se kurrë për të dhënë përgjigjie, po shkoj me kënaqësi. Akuzat e SPAK-ut, janë trillime politike të Edi Ramës. Do ta shtrijmë përdhe Ramën
Pyetje: A do keni kandidat për kryeministër?
Berisha: Këtë do Edi Rama, por jo nuk ketë! Sot është forca politike më sovrane. Duam t’u rikthejmë shqiptarëve votën e lirë, rotacionin e pushtetit dhe fitoren e opozitës.
VIDEO LAJM/ Berisha pritet të shkojë në SPAK, Policia rrethon Prokurorinë e Posaçme
Sot pritet që Prokuroria e Posaçme t'u komunikojë akuzat ish-kryeministrit Sali Berisha dhe dhëndrit të tij Jamabër Malltezit lidhur me dosjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizani.
Ndërkohë policia ka rrethuar Prokurorinë e Posaçme për shkak sepse është paralajmëruar një tubim nga ana e deputetëve të PD, të cilët kanë ftuar qytetarët të mblidhen aty./Versus.al
Nga sot Berisha dhe dhëndri i tij merren zyrtarisht të pandehur për aferën "Partizani", mbështetësit protestë para SPAK

Tiranë- Prokuroria e Posaçme (SPAK) pritet që tu komunikojë sot akuzat zyrtare ish-kryeministrit Sali Berisha dhe dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi lidhur me dosjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizani gjatë kohës kur PD ka qenë në pushtet.
Berisha do të paraqitet sot në SPAK rreth mesditës ndërsa dhëndri i tij Malltezi dy orë më pas, rreth orës 14:00.
Nga ana tjetër, paralelisht me mbërritjen e Berishës, është paralajmëruar edhe një protestë e mbështetësve të PD jashtë ambienteve të Prokurorisë së Posaçme si një mesazh për SPAK-un.
“Të mobilizohemi të gjithe maksimalisht për protestë të fuqishme solidariteti me të drejtën, me të vërtetën, kundër narkodrejtësisë”, thuhet në mesazhin e Flamur Nokës drejtuar anëtarëve të Kryesisë dhe drejtuesve të strukturave të PD-së.
Që prej nëntorit të vitit 2023 Jamarbër Malltezi u caktua në arrest shtëpie, ndërsa i njëjti fat përndoqi më pas edhe kryedemokratin Sali Berisha i cili pavarësisht fletëthirrjeve të SPAK për t’u paraqitur në ambientet e prokurorisë, refuzoi të shfaqej duke bërë që për të GJKKO të caktonte masën e arrestit shtëpiak që prej 30 dhjetorit të vitit të kaluar.
Prej muajsh, Berisha të gjitha ligjërimet e tij politike i ka mbajtur nga dritarja e ballkonit të katit të tetë në rrugën “Mustafa Gjollesha” në kryeqytet ku edhe mbahet nën arrest shtëpie. Ndaj tij, hetimet janë bërë në kuadër të akuzës për korrupsion pasiv, por pritet të mësohet gjithashtu nëse është hapur edhe një hetim pasuror.
Ndërsa dhëndri i tij Jamarbër Malltezi akuzohet për korrupsion pasiv dhe pastrim parash. Prokurorët e SPAK do t’i vendosin të dy ata sot përballë provave të gjetura nga hetimi i deritanishëm lidhur me këtë aferë. Versus.al







