Çfarë do të gjeni në brendësi
*Ditën e sotme me urdhër të Prokurorisë së Posaçme është arrestuar kreu i Partisë së Lirsië, Ilir Meta. *Kreu i PL-së është arrestuar pranë Casa Italias teksa po vinte në Tiranë ku do të mbante dhe një konferencë për shtyp. *Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha është shprehur se arrestimi i Ilir Metës është plan për eleminimin e tij politik ndoshta dhe fizik. *Mësohet se masë ‘detyrim paraqitje' është dhënë dhe për Monika Kryemadhin, bashkëshortja e kryetarit të PL-së, Ilir Meta, tashmë në proces divorci.
Pas arrestimit, flet Ilir Meta: Nga sot nis sot lufta jonë, armiqve të kombit dhe demokracisë do u ngrijë e qeshura në buzë
Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta i arrestuar mesditën e sotme me urdhër të SPAK, ka shpërndarë një mesazh për mbështetësit e tij dhe qytetarët.
Mesazhi i Ilir Metës:
Falenderoj përzemërsisht të gjithë anëtarët e Partisë së Lirisë për mbështetjen e jashtëzakonshme që më kanë dhënë deri tani.
Po kështu nga sot lufta jonë nis një faqe të re në përballjen pa asnjë kompromis me Narkoshtetin e instaluar brutalisht.
Jam i bindur në fitoren e kauzave tona kombëtare dhe demokratike!
Armiqtë e kombit tonë dhe demokracisë do u ngrijë e qeshura në buzë~
Rrëmbimi im sot në mënyrën më banditeske tregon panikun e regjimit diktatorial nga ballafaqimi me të vërtetat.
Ju siguroj se pas njohjes me vendimin e arrestimit tim ndihem më i fortë se kurrë dhe besoj edhe shumë në pafajësinë time të plotë.
Ndihem krenar që jam rrëmbyer dhunshëm nga antishqiptarët dhe shqipfolësit vetëm për patriotizmin tim dhe mbrojtjen e interesave kombëtare.
Deklarata zyrtare, Kryemadhi: SPAK Ka shkelur ligjin e sekretit hetimor, kam çuar prova, por nuk shoh asnjë në dosje
Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi akuzon SPAK se ka shkelur ligjin e sekretit hetimor dhe kacenuar lirinë e saj dhe të familjes.
Sipas Kryemadhit, kur bëhet fjalë për rilindas SPAK ua mbyll gojën gazetarëve, por për opozitarët prokuroria e shkel vetë ligjin.
Deklarata e deputetes Monika Kryemadhi:
Sapo u njoha me deklaratën e SPAK për mediat dhe konstatoj me keqardhje mungesën e profesionalizmit dhe shkeljet e detyrimit ligjor që keni në funksion të ruajtjes së sekretit hetimor.
Këtë detyrim iu a imponon neni 279 i Kodit të Procedurës Penale. Këtë nen ka përdorur SPAK-u edhe për t’i mbyllur gojën gazetarëve kur kanë pasur material për të folur mbi korrupsionin apo krimet e qeverisë së Edi Ramës.
Në këtë deklaratë, ndër të tjera bëhet me dije nga prokuroria e posaçme se kjo çështje është ende nën hetim, ndërkohë që prokuroria vetë ofron për publikun si ushqim të dhëna të pavërteta për mua dhe familjen time, për të cilat, unë gjatë hetimit kam arritur të vërtetoj të kundërtën nëpërmjet provave shkresore dhe aktit të ekspertimit kontabël të çertifikuar, që kam depozituar pranë SPAK prej kohësh.
Çuditërisht, në 167 faqe vendim, me të cilin është disponuar caktimi i masës së sigurimit personal, nuk pasqyrohet në asnjë rresht, asnjë e dhënë lidhur me provat që unë kam depozituar në mbështetje të pretendimeve të mia, të cilat rrëzojnë aludimet e SPAK.
Ju sot ligjërisht më keni komunikuar faktin se ndaj meje në cilësinë e personit nën hetim të dyshuar për kryerjen e disa veprave penale është caktuar një masë sigure, ndërkohë që edhe pse kam ende cilësinë e personit nën hetim, ju, xhelatët e bindur të Edi Ramës politikisht shpreheni se unë dhe familja ime akuzohemi, ndërkohë që këtë gjë në fazë të hetimit, nuk mund ta bëni as ligjërisht, as publikisht.
Deklarata e sotme e SPAK duket e shkruar në zyrën e Propagandës të Edi Ramës.
Pasi, për familjen time SPAK shkel çdo të drejtë të njeriut të mbrojtur nga Konventat Europiane dhe Kushtetuta, për një proces të rregullt ligjor, kurse për mafiozët në karriget e qeverisë dhe bashkëpunëtorët e tyre përulen dhe nuk shohin krimet e përditshme në kurriz të shqiptarëve.
Intimidimi i SPAK në bashkëpunim me Edi Ramën, ndaj gjyqësorit shqiptar, duke manipuluar opinionin publik përmes nxjerrjes së sekretit hetimor dhe duke paraqitur si fakte disa akuza të rreme dhe të pabaza, do të marrë përgjigjen e merituar në çdo shkallë të gjyqësorit brenda dhe jashtë vendit.
SPAK mund të bëjë akuzën, por kurrësesi gjyqin! Kjo i takon vetëm gjykatës dhe përballja e gënjeshtrave me motivacion politik, me të vërtetat do të jetë kudo dhe ndaj kujtdo, me të njejtën monedhë.
VIDEO/ Dalin pamjet, kush e vizitoi Metën në orët e mbrëmjes në qelitë e paraburgimit
Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka pasur një pasdite intensive në qelinë e tij në paraburgimin tek “Mine Peza”.
Pas takimeve me avokatin Genc Gjokutaj në mesditë në ambientet e Policisë së Tiranës, Meta ka pasur vizita edhe në orët e pasdites në bllokun e paraburgimit tek “Mine Peza”.
Metës i kanë shkuar për vizitë, djali i tij Drini Kryemadhi dhe avokati, Genc Gjokutaj. Djali Drini i ka dërguar ujë babait të tij, që ndodhet i izoluar.
Ilir Meta ndodhet i vetëm në dhomën e izolimit, ndërsa pasnesër do të transferohet në paraburgim. Ai tha se të drejtën për të takuar Metën e ka vetëm avokati i tij.
Arrestimi i Metës dhe Salianjit, Berisha shpall datën e protestës së radhës: Mosbindje civile në çdo qark
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha e konsideroi arrestimin e aleatit të tij politik, Ilir Metës, si një sulm ndaj opozitës.
Berisha solli vëmendje arrestim e demokratit Ervin Salianji, duke nënvizuar se edhe ai njësoj si Meta, janë prangosur për motive politike.
Por sipas Berishës, opozita do të reagojë fuqishëm, ndaj bëri thirrje për mobilizim të qytetarëve, por edhe të vetë strukturave të partisë që ai drejton.
Ai deklaroi se protesta e radhës do të mbahet në datën 29 tetor.
“Të sakrifikojmë e të shpëtojmë vendin tonë. Mos prisni kurrë që të tjerë do vijnë të qëndrojnë për ne. Janë opozitarët shqiptarë ata të cilët kanë meritën e madhe, kanë vullnetin e vendosmërinë për t’u ngritur. Janë ata që i rezistuan përpjekjeve për t’i asgjësuar e sot vijnë më të fortë se kurrë. Koha nuk është e fjalëve, por e veprimit. Drejtues të PD kërkohet përkushtimi juaj më i madh i jetës suaj t’u prijmë qytetarëve, demokratëve në këtë betejë vendimtare. Më datën 29, udhëheqësit e PD në qarqe marrin përsipër të organizojnë në rang qarku paralizimin këtij regjimi”, tha ai.
Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama si orkestrues të këtij arrestimi, të cilin e konsideroi se kriminal dhe eliminim të kundërshtarëve.
Hetime në SHBA, Itali, Qipro/ SPAK për Metën: Si ministër u përfshi në skandalin CEZ-DIA. Ndryshuan një ligj, e përfituan një vilë nga Samir Mane
Prokuroria Speciale e SPAK, ka reaguar në lidhje me arrestimin e presidenti të Partisë së Lirisë, Ilir Meta.
Në njoftimin e tij, SPAK thotë se, Meta është përfshirë në skandalin CEZ-DIA, gjithashtu ka ndikuar edhe për të futur në treg një kompani, që të shtrinte linjta e fibrës optike dhe kanë marrë nga pronari i kësaj kompanie karta krediti, shpenzime që nuk janë deklaruar.
Sipas SPAK, Monika Kryemadhi duke ushtruar influencën e saj, ka ndryshuar një ligj për llogari të biznesmenit Samir Mane, dhe për këtë gjë ata kanë përfituar një vilë në Rrolling Hills, ndërsa i kishin shitur më parë biznesmenit dhe vilën në Gjirin e Lalzit në shumën 300 mijë euro, për të cilën është marrë në pyetje edhe gazetari, Baton Haxhia.
Njoftimi i plotë i SPAK:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar mbi bazën e kallëzimit të shtetasit R. K. kryer në ish Prokurorinë e Krimeve të Rënda, procedimin penal Nr. 55 të vitit 2019. Objekti i hetimit të këtij procedimi janë veprimet korruptive të zyrtarëve të shtetit në lidhjen dhe zbatimin e kontratës së shërbimit CEZ-DIA.
Ndërkohë që po vijonin hetimet për këtë procedim, mbi bazën e kallëzimeve të shtetasve H. V. dhe I. B., Prokuroria e Posaçme ka rregjistruar procedimin penal nr.122 të vitit 2022 për veprat penale “Korrupsion pasiv i zyrtarëve të lartë shtetëror dhe të zgjedhurve vendorë”, “Pastrim i produkteve të veprës penale dhe veprimtarisë kriminale”, “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarim i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i cdo personi që ka detyrimin ligjor për deklarim”, parashikuar nga nenet 260 dhe 25, 287/2 dhe 257/a/2 i K.Penal.
Në vijim të hetimeve, procedimet e sipërcituara janë bashkuar në një procedim të vetëm në vitin 2024.
Nga sa më sipër, janë dokumentuar disa episode ku subjektet e këtij procedimi penal I.M. dhe M. K. në bashkëpunim mes tyre por edhe me funksionarë të tjerë publikë janë përfshirë në kryerjen e disa veprave penale.
1- Është provuar se ish-Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, I. M., ka përdorur autoritetin dhe influencën e tij për të ndërhyrë në procesin e lidhjes së kontratës ndërmjet shoqërisë “Debt International Advisory” dhe kompanisë CEZ Shpërndarje. Kjo kontratë kishte për objekt asistimin në identifikimin dhe arkëtimin e borxheve të prapambetura.
Këto marrëdhënie ngushtësisht të ndërlidhura kanë ndikuar drejtpërdrejtë në procesin e përzgjedhjes së DIA-s për të kryer shërbimet e mbledhjes së borxheve të CEZ-it, pavarësisht se shoqëria nuk përmbushte të gjitha kriteret ligjore dhe profesionale për të menaxhuar detyrime të kësaj natyre.
Shoqëria “Debt International Advisory”, përmes kësaj marrëveshjeje ka përfituar në mënyrë të parregullt shumën prej 649,803,520 lekësh, e cila është konfirmuar nga një vendim gjyqësor i formës së prerë.
Hetimet e deritanishme kanë zbuluar se I.M. ka kërkuar dhe pranuar shuma të konsiderueshme parash nga z. K. I., gjatë periudhës kur ai mbante funksionin e Ministrit, detyrë e cila përfshinte mbikëqyrjen e procesit të privatizimit të CEZ-it dhe lidhjen e kontratave për mbledhjen e borxheve, duke konsumuar kështu elementët e veprës penale të “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal.
2- Nga hetimet ka rezultuar se shtetasi I. M. në sajë të funksionit të tij si Kryetar i Kuvendit dhe bashkëshortja e tij, M. K. si deputete e Kuvendit, në vitin 2014 kanë përdorur influencën e tyre duke ndikuar tek drejtuesit e institucioneve të ndryshme shtetërore si dhe tek drejtuesit e kompanive të telefonive celulare, me qëllim futjen në tregun e fibrave optike si dhe lidhjen e marrëveshjes së interkonjeksionit midis kompanisë “U… C… INC” dhe një kompanie private telefonike celulare.
Si rezultat i kësaj influence të paligjshme subjektet në hetim I.M dhe M.K. kanë përfituar pjesën e tyre në përqindje nga fitimi i kompanisë, dhe janë pajisur me karta krediti nga administratori i shoqërisë. Shpenzimet e kryera nëpërmjet këtyre kartave, nuk janë deklaruar në deklaratat periodike të pasurive nga të hetuarit.
Personi nën hetim P. Xh., duke shfrytëzuar autoritetin e tij si Kryetari i AKEP, i zgjedhur nga Kuvendi i Shqipërisë me propozimin e subjektit politik “Lëvizja Socialiste Për Integrim” (LSI), në zbatimi të porosive të marra nga subjektet I. M. dhe M. K., jo vetëm ka ndikuar tek drejtuesit e kompanisë telefonike celulare për finalizmin e marrëveshjes por nga ana tjetër, ka lejuar kompaninë private të ushtrojë aktivitetin e saj në shkelje të ligjit të AKEP. Për këto arsye, personat nën hetim I.M. dhe M.K. ka dyshime se kanë konsumuar veprën penale të “Korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve”, në bashkëpunim, të ndihmuar edhe nga personi tjetër nën hetim P. Xh., i cili akuzohet për të njëjtën vepër penale.
3- Gjatë hetimit ka rezultuar gjithashtu se çifti I.M. dhe M.K., kanë hyrë në marëdhënie korruptive me biznesmenin S.M., duke përfituar përkohësisht një vilë si shpërblim për influencën e paligjshme që ata ushtronin ndaj funksionarëve publikë të emëruar nga LSI, në interes të aktiviteteve ekonomike të bizmesmenit në fjalë. Personi nën hetim M.K., me porosi të biznesmenit në fjalë, ka marrë përsipër edhe ndryshimin e një ligji në Kuvendin e Shqipërisë (ligj i cili u ndryshua sipas kërkesës së biznesmenit S.M.).
4- Përgjatë periudhës 2016-2017, I. M. me cilësinë e Kryetarit të Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, ka lidhur dhe ekzekutuar kontrata për shërbimi konsulence dhe lobimi me kompanitë Global Security and Inovative Solution LLC dhe Grupi McKeon Inc në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nga hetimi rezulton se një pjesë e financimit të kontratave është bërë me transferta bankare nga llogaritë e subjektit politik, Lëvizja Socialiste për Integrim, ndërkohë që shuma prej 463.546,26 USD nuk është transferuar nga llogaritë bankare të këtij subjekti politik. Po kështu rezulton se kjo shumë monetare, e cila nuk është transferuar nga llogaritë bankare të forcës politike nuk është pasqyruar në bilancet e subjektit politik Lëvizja Socialiste për Integrim, të depozituara pranë Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve.
5- Për peridhën 2009-2010, nga ana e personave nën hetim, I. M., M. K. dhe F. K., është blerë, një apartament dublex me vendndodhje në zonën e njohur si “ish bllok”, i deklaruar si i finacuar me kredi bankare. Nga hetimi ka rezultuar se shuma prej 310,000 Euro që kanë shërbyer për blerjen e katit të parë të dublex, janë derdhur Cash në sistemin bankar nga F. K., dhe shuma 335,000 Euro e marrë kredi nga F. K., është shlyer gjithashtu me para të depozituara në bankë të nivelit të dytë në Republikën e Shqipërisë, në Mars-Nëntor 2010. Këto para dyshohet se kanë origjinën nga aktiviteti i paligjshëm i shtetasve I.M. dhe M.K. si dhe kredia bankare është përdorur si mbulesë dhe mënyrë për të futur në sistemin bankar shuma të konsiderueshme monetare.
6- Nga hetimi ka rezultuar se shtetasit I.M. dhe M.K. nuk kanë deklaruar shpenzimet mjekësore të kryera gjatë periudhës 2013-2019, në vlerën totale prej 106.125 Euro. Nga këto shpenzime, 86.891 Euro janë paguar në cash. Hetimet kanë zbuluar se në deklaratën e Interesave Private Vjetore për vitin 2019, të dorëzuar në ILDKPKI më 29 Maj 2020, këta subjekte nuk kanë deklaruar shpenzimet shëndetësore në vlerën prej 9.000 Euro të kryera në një klinikë private jashtë vendit si dhe dhe shumën 100.000 Euro në llogarinë bankare dy emërore, të cilat i përkasin E.M. dhe F. K. Subjektet I.M. dhe M. K. dyshohet se kanë konsumuar veprën penale “Refuzimit për deklarim, mosdeklarimi, fshehja dhe deklarimi i rrëmë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë” parashikuar nga neni 275/a të Kodit Penal.
Prokuroria e Posaçme ka kryer hetime në kuadër të procedimeve penale nr. 55 të vitit 2019 (dërguar për kompetencë nga Prokuroria për Krime të Rënda), 122 të vitit 2022 (regjistruar mbi bazën e kallëzimit të shtetasit I.B.), 125 të vitit 2022 (regjistruar mbi bazën e kallëzimit të shtetasit H.V.), 165 të vitit 2022 (regjistruar mbi bazën e kallëzimit të shtetasit I.B.), të cilët janë bashkuar në një procedim të vetëm duke u numërtuar procedimi penal nr.55/2019.
Pas kryerjes së veprimeve të shumta hetimore dhe analizës së provave, në datën 09.10.2024 Prokuroria e Posaçme iu drejtua Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me kërkesën për caktim mase sigurimi ndaj katër shtetasve.
Me vendimin nr.125 datë 20.10.2024, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë ka vendosur:
1. Caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj personit nën hetim I. M., i dyshuar për kryejen e veprave penale; “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në 3 (tre) raste nga të cilat në dy raste është kryer në bashkëpunim, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim dhe më shumë se një herë, dhe “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i cdo personi që ka detyrimin ligjor për deklarim” parashikuar nga nenet 260 dhe 25, 287/2 dhe 257/a/2 i K.Penal.
2. Caktimin e masës së sigurimit personal “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj personit nën hetim, M. K., e dyshuar për kryerjen e veprave penale; “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në 2(dy) raste dhe në bashkëpunim, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim, dhe “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i cdo personi që ka detyrimin ligjor për deklarim” parashikuar nga nenet 260 dhe 25, 287/2 dhe 257/a/2 i K.Penal.
3. Caktimin e masës së së sigurimit personal “Arrest në shtëpi” parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj personit nën hetim P. Xh. i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 260 dhe 25 të Kodit Penal.
4. Caktimin e masës së sigurimit personal “Detyrim për tu paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar nga neni 234 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj personit nën hetim E. Ç., e dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 287/2 i Kodit Penal.
Po në datën 20.10.2024 Prokuroria e Posaçme ka urdhëruar Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit që të ekzekutojë masat e sigurimit të caktuara me vendimin nr.125 datë 20.10.2024. Policia e Shtetit ka ekzekutuar sot në datën 21.10.2024 masat e sigurimit të mësipërme ndaj katër personave nën hetim.
Hetimet vazhdojnë me administrimin e provave sa i përket implikimit të personave të tjerë që dyshohet se janë të përfshirë në këtë veprimtari të paligjshme kriminale.
Gjejmë rastin që të falenderojmë Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit si dhe autoritetet e zbatimit të ligjit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Austrisë, Italisë, San Marinos, Qipros për ndihmën dhe bashkëpunimin e treguar.
Pas arrestimit të Ilir Metës/ Rama: Tranzicioni në Shqipëri ka mbaruar, tani ka nisur rruga e integrimit
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama në një takim me temën “Deputeti që duam”, ka folur edhe për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE-në.
Në fjalën e tij, vetëm pak orë pas arrestimit të Ilir Metës, kryesocialisti Edi Rama u shpreh se, tranzicioni në Shqipëri ka mbaruar dhe se tani ka nisur rruga për integrimin e Shqipërisë në BE-ja, proces që do ta përmbushë PS-ja.
“Shqipëria sot ështe e ulur në tryezë duke negociuar Bashkimin Europian. Për mua, javën e kaluar ka qenë dita më e rëndësishme që kur kam marrë këtë detyre. Momenti më përmbushës, sepse e di mirë si dëshmitar i gjithë rrugës për tu ulur në atë tryezë atë ditë, se çfarë na është dashur të heqim nga shpina, si ngarkesa dhe hije të së shkuarës dhe çfarë na është dashur të bëjmë, për të provuar, për veten tonë në radhë të parë, dhe pastaj dhe për të tjerët, qe ne jemi një force që mund të garantojë të ardhmen.
Shqipëria ka shumë probleme, por sot ka një garanci që e para, ka një kapacitet të mishëruar në pjesën e vet më të madhe te PS, për ti adrestuar problemet dhe e dyta, ka një kapacitet tjetër, po të mishëruar në PS, për ti kuptuar, pranuar dhe adresuar problemet që duhen zgjidhur.
Por PS ka nevojë ta rrisë këtë kapacitet në mënyrë domethënëse, duke nisur nga skuadra e saj në parlament. Dhe për mua kjo gjeneratë përkon ekzaktësisht me kohën që ka nevojë për këtë rikorrektim, transfuzion, grabual, por substancial dhe të konsideruehhëm dhe me pak prekje”, tha Edi Rama gjatë fjalës së mbajtur me të rinjtë që aspirojnë të jenë në listat e deputetëve të PS-së.
Policia: Ilir Meta shau drejtuesit e Policisë dhe drejtësinë, refuzoi dhe kundërshtoi ndalimin, e nxorrëm forcërisht nga makina
Policia e Shtetit ka reaguar me anë të një deklarate në lidhje me shoqërimin forcërisht të presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta.
Policia thotë se, sipas planit ishte organizuar aksioni për ndalimin e tij, por Meta ka reaguar në mënyrë refuzuese duke ka ‘lëshuar fjalë fyese në drejtim të përfaqësuesve të Policisë dhe Drejtësisë’.
Deklarata e Policisë së Shtetit:
Me detyrimin ndaj opinionit publik lidhur me mënyrën e shoqërimit të shtetasit I.M., sqarojmë se:
Policia e Shtetit ka marrë për ekzekutim vendimin e Gjykatës së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (GJKKO), me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme për arrestimin e shtetasit I.M, 55 vjeç. Për zbatimin e këtij vendimi Policia e Shtetit ka marrë masa operacionale, sipas procedurave të parashikuara nga Rregullorja.
Rreth orës 13:15 minuta Policia e Shtetit ka marrë informacion dhe më pas ka konstatuar se në vendin e quajtur ‘Kthesa e Kamzës’, në zonën e Laprakës, shtetasi I.M po udhëtonte me një automjet në drejtim të Tiranës.
Në këtë moment është bërë ndalimi i automjetit dhe drejtuesi i grupit operacional i ka komunikuar shtetasit I.M, vendimin e gjykatës për masën e sigurisë “Arrest në burg” dhe i ka kërkuar të zbresë nga automjeti.
Shtetasi I.M. ka reaguar në mënyrë refuzuese dhe kundërshtuese dhe ka lëshuar fjalë fyese në drejtim të përfaqësuesve të Policisë dhe Drejtësisë.
Bazuar në procedurën e parashikuar nga Rregullorja, ai është nxjerrë nga automjeti dhe shoqëruar forcërisht.
Policia e Shtetit nënvizon se përdorimi i forcës për shoqërimin e subjektit u imponua nga kundërshtimi me forcë prej tij për zbatimin e vendimit të gjykatës që iu komunikua nga punonjësit e Policisë.
Nën hetim për 3 akuza, reagon sërish Kryemadhi: Ndalim çnjerëzor i ish-Presidentit, proces ligjor brenda dhe jashtë vendit
Ish kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi ka reaguar sërish sot, pas komunikimit të akuzave nga SPAK dhe dhënies së masës së sigurisë ‘detyrim paraqitje’. Ajo e ka cilësuar si ‘ferman politik’ njoftimin e GJKKO, ndërsa çnjerëzor arrestimin e Ilir Metës në rrugë. Gjithashtu ajo ka deklaruar se gjyqi politik dhe publik nuk do e ndalojë në betejat e saj opozitare, ndërsa do i ndjekë proceset ligjore brenda dhe jashtë vendit.
"Të dashur qytetarë shqiptarë, miq dhe dashamirës të opozitës shqiptare dhe të familjes tonë.
Ju falenderoj përzemërsisht për të gjitha mesazhet e solidaritetit gjatë kësaj paradite.
Vetëm para pak minutash më është vënë në dispozicion fermani i gjykatës politike të Edi Ramës. Dhjetra faqe me fjali boshe për të justifikuar akuzat e rreme të disa kallëzuesve shpifarakë, atentatorë në tentativë për të vrarë aksionin e opozitës shqiptare në tërësi.
Krimet mostruoze transnacionale të Edi Ramës dhe miqve të tij, përdorues të rregullt të SKY dhe ECC, nuk mund të amnistohen me pamjet e shëmtuara të ndalimit çnjerëzor të ish-Presidentit të Shqipërisë në mes të rrugës.
Vjedhjet shtetërore mafioze si ajo e inceneratorëve që vazhdojnë përditë dhe në çdo sektor, nuk lahen dot me gjyqet publike që mund ti bëjnë drejtuesve të opozitës shqiptare, përmes procesve gjyqësore pa prova dhe pa fakte.
Krimet e disa prokurorëve të prokurorisë speciale, që nuk guxojnë të përmendin emrat Edi Rama dhe Erion Veliaj, duke i amnistuar dhe duke ju nënshtruar pushtetit në kundërshtim me rolin e tyre ligjor si prokurorë të Republikës, kur Rama e Veliaj krimet i kanë kryer dhe i kryejnë duke lënë gjurmë në shkresa shtetërore, nuk mund të amnistohen edhe nëse zyrtarët-ushtarë të drejtësisë ngrejnë akuza politike ndaj çdo deputeti të opozitës në Kuvend, apo drejtuesi partie opozitare.
Ju siguroj se, pavarësisht të gjithë gjyqit politik dhe publik, unë kurrë nuk do të ndalem.Ju konfirmoj se po, gjykata politike e Edi Ramës ka marrë për mua vendimin për detyrim paraqitje. Kam udhëzuar ekipin e mbrojtësve të mi ligjir për të demontuar këtë farsë në çdo gjykatë brenda dhe jashtë vendim. Si kam deklaruar dhe më parë do të përballem me drejtësinë pa asnjë hezitim me të vërtetën time dhe procedurat ligjore brenda e jashtë vendit"./ Versus.al
Kush do e drejtojë Partinë e Lirisë pas arrestimit të Ilir Metës? Tedi Blushi përgjigjet i prerë
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë Tedi Blushi gjatë konferencës së jashtëzakonshme për shtyp është pyetur nga gazetarët se kush do ta drejtojë Partinë e Lirisë pas arrestimit të Ilir Metës.
Blushi u përgjigj i prerë duke e përsëritur disa herë se Partia e Lirisë e ka presidentin e saj dhe ai është Ilir Rexhep Meta.
Blushi: Partia e Lirisë e ka presidentin e saj, ai quhet Ilir Rexhep Meta. Partia e Lirisë e ka Presidentin. Dini gjë ju se nuk ka president? Partia e ka presidentin. Për këto që ka dyshim Iliri Meta është president i Partisë së Lirisë. Ky është lideri i Partisë së Lirisë.
Kryetari i Partisë Lirisë, Ilir Meta u arrestua ditën e sotme nga agjentët e BKH-së me urdhër të SPAK.
Ai u arrestua pranë ‘Casa Italia’ në kthesën e Kamzës teksa po vinte për në Tiranë ku do të mbante edhe një konferencë për shtyp në orën 13:40./Versus.al
Ishte në makinë me të, flet sekretari i PL-së: Ilir Meta nuk bëri rezistencë, ta dini të gjithë ai nuk është frikacak
Sekretari Organizativ i PL-së, Artemis Peca që ishte me Ilir Metën në momentin kur është arrestuar ka folur në një konference për shtyp për gazetarët. Ai u shpreh se në fillim menduan se po i grabisnin dhe se asnjëri prej efektivëve nuk ishte prezantuar me mandat.
Artemis Peca: Afër Casa Italias u bllokua trafiku. Pashë një makinë që po na afrohej me ngadalë, na rrethuan tre makina dhe na ndaluan. Kishin vetëm jelekë dhe hapën derën në mënyrë çnjerëzore. Kujtuam se na grabitën. Na thanë hajdeni me ne. Të dy thanë do të vini bashkë me ne në komisariat. Meta i pyeste kush jeni ju, keni mandat? Ata ndërhynë me forcë. Kur hymë në komisariat nuk bënë asgjë, prisnin urdhra nga Rama dhe Dumani. Nuk guxonte asnjë polic që të firmoste. Nuk e dinin ca po bëhej, ishin në terror, ushtronin presion mbi ne.
Peca shtoi më tej se pamjet ku Ilir Meta shihet duke i bërë rezistencë agjentëve të BKH-së nuk janë të vërteta.
Peca: Ilir Meta nuk pati rezistencë iu kërkoi mandatin dhe ata në asnjë moment nuk dëgjonin fjalët e Metës. Më pyetën mua kush je ti. Jam Sekretari organizativ. Çfarë kërkoni?
Kur po vija rrugës tani prej komisariti po shikoja disa portale të paguara nga Edi Rama dhe Sorosi që bëjnë lajme sipas interest të tyre. E vërteta është që Meta nuk kishte asnjë njeri tjetër në makinë dhe as një escort nga mbrapa. Që ta dini të gjithë Ilir Meta nuk është frikacak. Nuk është si ata që lëvizin me eskorta. Ilir Meta nuk pati rezistencë. Iu kërkoi mandatin kush jeni ju për çfarë duhet të vij. Dhe ata për asnjë moment nuk dëgjonin fjalët e zotit Meta. Ata na tërhiqnin me forcë zotin Meta dhe mua. Më pyetën mua kush je ti? Jam Sekretari Organizativ i partisë. Na tërhoqën zvarrë nuk ushtruam asnjë lloj rezistence. Është me fakte, mund ta shikoni./Versus.al
Flet avokati i Metës: Ishte rrëmbim banditesk, u përdorën si masha ish-bashkëpunëtorë të tij
Avokati i Ilir Metës, Genc Gjokutaj ka folur për gazetarët pas takimit që ka patur me ish-presidentin në ambientet e Drejtorisë së Policisë Vendore në Tiranë. Ai është shprehur se arrestimi i Metës në fakt ishte një rrëmbim banditesk që është orkestruar nga dyshja Dumani-Rama nëpërmjet mashave të tyre, dikur ish-bashkëpunëtorë të klientit të tij:
“Pas një rrëmbimi banditesk në rrugë me një sjellje tejet jo ligjore, kjo ndodh ndaj një personi që ka qenë disa herë në SPAK dhe kjo çështje ka 5 vjet që është në duart e prokurorëve, ndaj momenti është politik nga dyshja Dumani-Rama me mashat, bashkëpunëtorë të Ilir Metës. Vendimi i tij është i qartë, të përballet me procesin, është gati për të bërë mbrojtjen. Është i akuzuar për 3 vepra penale, me të lexuar vendimin do të kemi një komunikim. E takova brenda Drejtorisë së Policisë Tiranë dhe ishte një takim si përherë, vetëm se ndryshonte vendi”./ Versus.al
VIDEO/ Duke u përshëndetur nga miqtë e tij, Ilir Meta del nga ambientet e Policisë
Ilir Meta ka lënë ambjentet e Policisë dhe është nisur për tek blloku i sgiurisë tek rruga Mine Peza.
Meta u arrestua ditën e sotme tek kthesa e Kamzës nga agjentët e BKH-së.
Ndaj tij janë ngritur tre akuza: pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim pasurie./Versus.al
VIDEO/ Ilir Meta i rezistoi arrestimit, policët e maskuar e nxorën me forcë nga makina
Janë publikuar pamje nga arrestimi i Ilir Metës me urdhër të Prokurorisë së Posaçme.
Nga videon e mëposhtme shihet kreu i Partisë së Lirisë duke u nxjerrë me dhunë nga agjentët e BKH-së nga makina ku po udhëtonte.
Më pas shihet se ai futet në një automjet tip Golf me të cilin është dërguar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.
Meta po kthehej nga Kosova kur është ndalur nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit pranë kthesës së Kamzës. Ai është ndjekur nga kufiri në Doganën e Morinës deri në vendin ku dhe është arrestuar, /Versus.al
“Metën e rrëmbyen persona me kapuç të zinj të paidentifikuar’, Blushi kërcënon SPAK dhe policët: E kanë personale me ne
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi ka reaguar ashpër për arrestimin e kreut të PL-së, Ilir Meta në hyrje të Tiranës. Ai ka thënë se arrestimi i Metës është “akt terrorist’ për nga mënyra sesi është bërë shoqërimi i tij me forcë.
Ai tha se personat që kanë shkuar ta arrestojnë Metën nuk i janë identifikuar dhe e kanë nxjerrë me forcë nga automjeti.
"Sot kanë marrë peng ish-kryeministrin, ish-presidentin. E kanë personale me ne. Mënyra dhe akti kriminal i një kupole terroriste do të marrë përgjigjie shembullore. Janë disa arsye të ndalimit të Metës, çështja e detit me Greqinë, mbrojtja e sovranitetit të Shqipërisë dhe luftës ndaj bandës së Ramës dhe Sorosit. Këta kriminelë do marrin përgjigjen e merituar.
Ai ndalim sot me njerëz me kapuça të zinj që ndalojnë në mes të ditës ish-presidentin e republikës pa u identifikuar kanë tentuar ta nxjerrin me forcë nga makina"- shprehet Blushi. Versus.al
Arrestimi i Ilir Metës, reagon Monika Kryemadhi: Asnjë dijeni për ndonjë masë ndaj meje apo babait të fëmijëve të mi
Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi ka reaguar pas lajmit të arrestimit të Ilir Metës dhe masës së dhënë ndaj saj.
Kryemadhi shkruan në statusin e saj të publikuar në Facebook se ajo ende nuk ka marrë dijeni mbi një vendim gjykate që do të vendoste masa sigurie për atë dhe për 'babain e fëmijëve të mi', siç e quan ajo Ilir Metën.
Më tej deputetja e PL-së shkruan se presekutimi që po ju bëhet nuk ndalon opozitën në betejat pa kompromis për të mbrojtur interesin publik.
Monika Kryemadhi: Të dashur gazetarë për të cilët kam shumë respekt dhe që sot po raportoni lajme të servirura nga propaganda e qeverisë për sulmet e radhës të drejtësisë ndaj opozitës shqiptare.
Unë ende nuk kam marrë dijeni mbi një vendim gjykate që do të vendoste masa sigurie mbi mua apo babain e fëmijëve të mi.
Sapo të njoftohem për këto vendime të drejtësisë do të përgjigjem me të gjitha hapat ligjore dhe publike.
Persekutimi nga drejtësia si armë ndaj kundërshtarit politik, si dhe gjyqi publik që po na bëhet, nuk ndalon opozitën në betejat pa kompromis për të mbrojtur interesin publik.
Duke nisur nga Inceneratorët dhe der tek çdo betejë tjetër të drejtë që po luftojmë për shqiptarët./ Versus.al
Ilir Meta, nga politikani më ‘i dekoruar’ me poste të larta shtetërore, në të arrestuar të SPAK-ut (Karriera politike)
Ilir Meta u bë sot ish-kryeministri i dytë në historinë e vendit me masë arresti të lëshuar nga SPAK pas ‘arrestit shtëpiak’ të Sali Berishës. Kreu i PL u kap teksa hynte me automjetin e tij në Tiranë në një aksion të organizuar nga agjentët e BKH, një ‘fund politik’ aspak i denjë për politikanin që mbajti postet më kryesore të shtetit pas komunizmit si atë të kryeministrit, kryetarit të Kuvendit dhe të presidentit.
Madje shpesh, figura e Metës krahasohej me Esat Pashë Toptanin pasi edhe ky i fundit njihet si figura politike shqiptare që ka mbajtur postet më të larta të shtetit. Sot Ilir Meta është nën akuzë për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie.
Biografia dhe karriera politike e Ilir Metës:
Meta u lind më 24 mars të vitit 1969 në Skrapar, Shqipëri. U diplomua për Ekonomi Politike në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës. Ilir Meta ka përfunduar Studimet Pasuniversitare në të njëjtën fushë. Meta është që prej 15 viteve deputet i Kuvendit të Shqipërisë, dhe një nga figurat kryesore politike shqiptare. Ai konsiderohet nga media dhe publiku si krijuesi dhe drejtuesi i Polit të Tretë në Politikën Shqiptare.
Ilir Meta ka një aktivitet intensiv politik, duke filluar nga viti 1990, si pjesëmarrës aktiv në lëvizjen studentore që përmbysi regjimin komunist. Nga viti 1992 në vazhdim, Ilir Meta është zgjedhur pa ndërprerje deputet në të gjitha legjislaturat e Kuvendit të Shqipërisë, në të cilin ka qenë anëtar i disa komisioneve dhe gjatë periudhës 1996-1997 ka mbajtur postin e nënkryetarit të Komisionit të Politikës së Jashtme.
Ilir Meta është njëri ndër themeluesit e Forumit të Rinisë Eurosocialiste (FRESH), duke dhënë kontributin e tij për anëtarësimin e Forumit në Internacionalen e Rinisë Socialiste. Gjatë viteve të anëtarësisë së tij në FRESH, Ilir Meta ka mbajtur poste të larta drejtuese si, Nënkryetar (1992-1995) dhe Kryetar (1995-2001).
Aktiviteti politik i Ilir Metës në strukturat e Partisë Socialiste është i ngjeshur.
Ai ka qenë anëtar i Komitetit të Përgjithshëm Drejtues nga Kongresi i Qershorit 1992 dhe anëtar i Kryesisë së Partisë nga viti 1993, deri në periudhën kur dha dorëheqjen nga kryesia e PS-së (Korrik 2003), pas problemeve që ngriti pranë strukturave drejtuese të PS-së mbi mungesën e transparencës në drejtimin e Qeverisë dhe Partisë prej Kryeministrit dhe Kryetarit të Partisë, Fatos Nano.
Gjatë periudhës 1997-1998, Ilir Meta ka qenë kryetar i Partisë Socialiste të Tiranës.
Në periudhën 1993 -1996, Ilir Meta ka mbajtur postin e nënkryetarit të Partisë Socialiste dhe nga 1994 – 1996 edhe atë të Sekretarit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, periudhë gjatë së cilës u vendosën marrëdhënie me shumë parti socialiste dhe socialdemokrate të Evropës, si dhe Partinë Socialiste Evropiane dhe Internacionalen Socialiste.
Përveç aktivitetit politik, Ilir Meta ka dhënë leksione në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës, si dhe në disa akademi dhe universitete në Evropë dhe SHBA, si Akademia Evropiane e Berlinit apo Universiteti i Harvardit.
Aktiviteti politik i Ilir Metës përfshin edhe një periudhë të drejtimit në Qeveri, ku ka shërbyer si Kryeministër i vendit gjatë periudhës Nëntor 1999 – Shtator 2001 dhe pas fitores së zgjedhjeve parlamentare të verës së vitit 2001 u rimandatua si Kryeministër, Shator 2001 – Shkurt 2002. Gjatë kësaj periudhe u shënuan arritjet më të mira të qeverisjes së vendit për periudhën e tranzicionit, stabilizimi i parametrave makro-ekonomik, përmirësimi i ndjeshëm i rrjetit rrugor, privatizimi i suksesshëm i disa prej sektorëve strategjik të ekonomisë, vendosja dhe funksionimi i ligjit në të gjithë terrorin e vendit, etj.
Në Shkurt 2002, për të shmangur krizën brenda maxhorancës politike dhe qeverisëse dha dorëheqjen nga detyra.
Gjithashtu, Ilir Meta ka shërbyer edhe si Zv.kryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme gjatë periudhës Korrik 2002 – Korrik 2003, Zv.kryeministër dhe Ministër i Integrimit gjatë periudhës Tetor 1998 – Tetor 1999, si dhe Sekretar Shteti për Integrimin Evropian në Ministrinë e Punëve të Jashtme Mars – Tetor 1998.
Në vitet 2003-2004, Ilir Meta ka qenë anëtar i Komisionit Ndërkombëtar për Ballkanin, i drejtuar nga ish Kryeministri i Italisë, Xhuliano Amato, komision i cili përgatiti Raportin për të Ardhmen e Rajonit të Ballkanit, dhe shtroi rrugën për pavarësinë e Kosovës.
Ilir Meta, pas përpjekjeve brenda strukturave drejtuese të PS-së, për ndryshimin e funksionimit dhe demokracisë së brendshme në këtë force politike, më 6 shtator 2004, së bashku me 500 personalitete të tjerë dhe intelektualë të të gjitha fushave, themeluan një forcë të re politike në Shqipëri, Lëvizjen Socialiste për Integrim.
lir Meta u zgjodh në krye të LSI-së në prill të vitit 2005, duke zbatuar për herë të parë parimin “Një anëtar, një vote”. Z. Meta është rikonfirmuar në krye të LSI-së, në zgjedhjet e tetorit 2012 dhe së fundmi në 6 nëntor 2016.
Në periudhën shtator 2009-shtator 2010, Ilir Meta ka shërbyer si Zv. Kryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme, e më pas si Zv. Kryeministër dhe ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës gjatë periudhës shtator 2010-janar 2011.
Në vitin 2013 Meta u zgjodh Kryetar i Parlamentit pas fitores së koalicionit PS-LSI në zgjedhje.
Më 28 prill, Meta u zgjodh presidenti i shtatë i Republikës së Shqipërisë me votat e mazhorancës së krijuar prej tij dhe Edi Ramës, asokohe bashkëpunëtor. Më 24 korrik 2022 Meta la presidencën dhe u zotua për aksion politik në funksion të rrëzimit të qeverisë së tretë të Ramës. Më 24 prill të këtij viti, Meta u zgjodh president i Partisë së Lirisë. Ilir Meta është në proces divorci me bashkëshorten e tij Monika Kryemadhin dhe kanë tre fëmijë, Borën, Besarin dhe Erën. Versus.al
Arrestimi i Metës, flet Tedi Blushi: E rrëmbyen në mes ditës! Kemi të bëjmë me një pengmarrje kriminale
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi ka reaguar pas arrestimit të kryetarit të partisë, Ilir Meta.
Blushi është shprehur se kemi të bëjmë me një pengmarrje kriminale duke shtuar se nuke di ku ndodhet dhe se kjo është kjo është një fatkeqësi.
Tedi Blushi: Kemi të bëjmë me një pengmarrje kriminale, akt kriminal. Nuk e di ku ndodhet dhe kjo është një fatkeqësi. Kjo tregon aktin e rëndë kriminal që do të marrë përgjigje shembullore nga shqiptarët patriotë dhe të ndershëm./Versus.al
Arrestimi i Metës dhe 'detyrim paraqitje' për Kryemadhin, në masë sigurie dhe babai i deputetes së PL (EMRAT)

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka caktuar 3 masa sigurie në total, për kryetarin e Partisë së Lirisë Ilir Meta ‘arrest me burg’ për deputeten Monika Kryemadhi ‘detyrim paraqitje’. Ndërkohë sipas burimeve, SPAK kërkoi arrest me burg për Pirro Xhixhon dhe Ema Çokun, por GJKKO ka vendosur arrest shtëpie për Xhixhon dhe detyrim paraqitje për Çokun. Bëjmë me dije se Pirro Xhixho është babai i deputetes Erisa Xhixho.
Çifti i politikanëve ishin nën hetim pasuror nga SPAK prej kohësh, hetim i nisur pas lobimit që asokohe LSI kishte bërë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Versus.al
Në ‘darën’ e SPAK jo vetëm Meta, jepet masë dhe për Monika Kryemadhin
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta është arrestuar gjatë mesditës së sotme në një operacion ‘sekret’, menjëherë pasi GJKKO kishte prerë disa masa sigurie në lidhje me hetimin pasuror që kishte nisur prej kohësh ndaj ish-presidentit të Republikës dhe familjes së tij. Mësohet se masë ‘detyrim paraqitje' është dhënë dhe për Monika Kryemadhin, bashkëshortja e kryetarit të PL-së, Ilir Meta, tashmë në proces divorci. Akuzat për çiftin janë pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe korrupsion. Gjithashtu burime për Versus.al, thonë se një masë tjetër sigurie është prerë dhe për një person ende të pakonfirmuar, i cili dyshohet të jetë bashkëpunëtor i ish çiftit Meta-Kryemadhi./ Versus.al
Iu vunë prangat në mes të rrugës, ‘parandjenja’ e Metës pasi takoi Salianjin në burgun e Fierit
Ilir Meta është arrestuar pasditen e sotme pranë ‘Casa Italia’ në kthesën e Kamzës teksa po vinte për në Tiranë ku do të mbante edhe një konferencë për shtyp në orën 13:40.
Mësohet se agjentët e BKH e kanë arrestuar Metën në rrugë dhe e kanë transportuar në drejtorinë e policisë së Tiranës. Por, duket se kreu i Partisë së Lirisë e kishte ‘parandjerë” ditë më parë arrestimin e tij.
Në një vizitë që zhvilloi në burgun e Fierit me ish-deputetin e PD të arrestuar, Ervin Salianjin, Meta shprehej se ishte bindur se burgu vetëm ia ndez frymën e ndryshimit.
“Sot, me kërkesën time, së bashku me anëtarin e Kryesisë të Partisë së Lirisë, Avokat Genc Gjokutaj, takova në burgun e Fierit deputetin tribun të Partisë Demokratike dhe opozitës, z.Ervin Salianji, i cili po vuan burgun politik të Narkoshtetit.
Takimi ishte shprehje e solidaritetit kundër Narkoregjimit në fuqi dhe Narkodrejtësisë.
Ky takim më bindi edhe më shumë se burgu politik vetëm e ndez frymën e Ndryshimit dhe përmbysjen e juntës në fuqi. Krenar për heronjtë e fjalës së lirë, të cilët as në burg nuk e humbasin Lirinë”,-shkruante Meta më 15 tetor. Versus.al
Reagon Berisha pas arrestimit të Ilir Metës: Plan për eleminimin e tij politik, ndoshta dhe fizik
Kreu I partisë Demokratike Sali Berisha e ka marrë lajmin për arrestimin e kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta teksa ishte në konferencë me gazetarët.
Berisha u shpreh se arrestimi i Metës është plan për eliminimin e tij politik dhe ndoshta dhe fizik.
Sali Berisha: Çdo gjë ndaj tij është politike. Presekutimi i Ilir Metës është politik dhe vetëm politik. Nuk kanë publikuar asnjë fakt asnjë dokument por kanë zbatuar urdhërat e Edi Ramës që është përpjekur më të gjitha mënyrat për eleminim politik e ndofta edhe fizik të Ilir Metës. Kjo është përgjigja ime. Edi Rama është siç denoncova dhe radhën e kaluar me shumë të dhëna është i implikuar në eliminin e personave në mënyrë anitkushtetuese. Ju kam informuar se Altin Dumani flen mbi një dosje në të cilën bisedohet për eleminimin e një politikani të afër me Edi Ramën. E kuptoni ju se a do të mund të eliminon bandat një politikan të afërt me Edi Ramën pa porosinë e tij? Pra Edi Rama është njësh me krimin.
Arrestohet kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta
Tiranë- Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta është arrestuar pasditen e sotme me urdhër të Prokurorisë së Posaçme (SPAK).
Arrestimi i Metës është bërë nga agjentët e BKH pranë ish-sheshit Shqiponja në hyrje të Tiranës ku kishte paralajmëruar edhe mbajtjen e një konference për shtyp në orën 13:40. Në momentin e arrestimit ai shoqërohej nga shoferi i tij. Momenti kur i janë vënë prangat ka qenë krejt i befasishëm kur mjeti i tij po hynte në kryeqytet. Aksioni është zhvilluar në sytë e qytetarëve.
Që pasi la postin e presidentit, Meta hetohej nga SPAK për atë që njihet si afera “CEZ-DIA”, pastrim parash, korrupsion pasiv dhe mosdeklarim pasurie. Nën hetim pasuror ka qenë edhe bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi për të cilën SPAK ka caktuar “detyrim paraqitje”.
Herë pas here, Ilir Meta në deklaratat për mediat ka akuzuar SPAK-un si “organizatë kriminale” dhe kreun Altin Dumanin si “shërbëtor të kryeministrit Edi Rama”. Ai në deklaratat e bëra i cilësonte hetimet ndaj tij si urdhra politikë të dhënë nga Rama me qëllim goditjen e opozitës. Versus.al







