
Një ish-roje sigurie që punon për familjen e Michael Schumacher dyshohet se ka luajtur një rol kyç në një tentativë shantazhi që synonte të afërmit e ish-pilotit të F1, - tha të premten zyra e prokurorit publik në Wuppertal, Gjermani.
Ky 52-vjeçar u arrestua të enjten në lidhje me hetimet për këtë aferë të zbuluar në fund të qershorit, saktësohet në një njoftim për mediat nga prokuroria. “I dyshuari ka qenë i punësuar në të kaluarën si agjent sigurie për familjen Schumacher dhe përgjegjës, ndër të tjera, për dixhitalizimin e imazheve private,” sipas të njëjtit burim.
Ai ka luajtur rolin e ndërmjetësit midis familjes së legjendës gjermane dhe dy shantazhuesve të supozuar në paraburgim, pasi kishin kërkuar miliona euro, nën kërcënimin e shpërndarjes së informacionit privat dhe fotove të pilotit në “dark web”, pjesë klandestine e internetit.
Fotot aktuale të legjendës së Formula 1, Michael Schumacher, janë shumë të lakmuara sepse që nga një aksident në ski i ndodhur në vitin 2013 që i shkaktoi pilotit trauma të rënda në kokë, Michael Schumacher është trajtuar në shtëpinë e tij në Zvicër dhe është mbajtur totalisht larg mediave.
Ka pak informacion mbi gjendjen shëndetësore të 7 herë kampionit të botës në F1, i cili kaloi pothuajse gjashtë muaj në koma artificiale pas aksidentit të tij. Në maj, revista gjermane “Die Aktuelle” u dënua se kishte publikuar në vitin 2023 një intervistë të rreme me atletin, të krijuar me Inteligjencë Artificiale.







