Shqipëria ka arritur një fitore me përmbysje spektakolare në miqësoren me Jordaninë në “Arenën Kombëtare”, duke triumfuar me rezultatin e thellë, 4-2.
Ndeshja nuk nisi në mënyrën më të mirë për kuqezinjtë, të cilët kaluan në disavantazh në minutën e 27’, pas një përgjumje në zonë. Barazimi erdhi në minutën e 40’, me Bajramin që lëvizi mjaft bukur në zonë, duke detyruar mbrojtësin Mo Abualnadi të shkaktonte një autogol.
Pjesa e dytë foli e tëra kuqezi. Armando Broja, i cili kishte vetëm 4 minuta në fushë, kaloi bukur portierin kundërshtar dhe me portën e boshatisur tundi rrjetën, duke kaluar për herë të parë kuqezinjtë në avantazh.
Pas 10 minutash, ishte momenti i Arbër Hoxhës, i cili me një gjuajtje nga distanca tundi rrjetën.
Por festa nuk mbaroi këtu, pasi në minutën e 79’, Broja me një kalim të bukur në zonë asistoi për Bajramin, i cili me të djathtën tundi rrjetën.
Në fund, Olwan shënoi golin e dytë për miqtë, i cili shërbeu vetëm si statistikë. Më 13 nëntor, Shqipëria luan përballë Andorrës në transfertë duke luajtur edhe shanset e kualifikimit për në fazën Play Off të Botërorit 2026. Versus.al







