POLITIKË /

“E gjithë administrata në Himarë”, Dule: Subjekte të SPAK në qendra votimi për të presionuar zgjedhësit

Dule pretendoi se e gjithë administrata e vendit si dhe persona të inkriminuar ndodhen në Himarë për të ndikuar në vullnetin e zgjedhësve.

Shkruar nga Versus

“E gjithë administrata në Himarë”, Dule: Subjekte

Kreu i PBDNJ Vangjel Dule ka dhënë një deklaratë për gazetarët lidhur me procesin zgjedhor në bashkinë e Himarës ku pretendoi se ka pasur parregullsi të shumta. Duke e nisur me kallëzimin e bërë ndaj Vangjel Tavos, Dule tha se SPAK nuk kishte vepruar për faktin se qindra qytetarë kanë ndryshuar së fundmi gjendjen civile duke iu shtuar listës së zgjedhësve në Himarë.

“Që para nisjes së fushatës zgjedhore, Tavo me zë dhe figurë pohoi publikisht se ai ka transferuar gjendjen civile të disa qytetarëve që nuk janë banorë të bashkisë së Himarës me qëllim që të mbrojë votën e tij. Kush janë autoritetet shtetërore që e kanë marrë këtë vendim? Janë 311 zgjedhës të shtuar në listat e zgjedhjeve të sotme krahasuar me ato të majit 2023. Lista e 2023-it krahasuar me atë të 2021-it ishte pakësuar me 3 persona.

Ndërsa 91 persona kanë transferuar gjendjen civile pasi ishte shpallur dekreti i presidentit. Shkeljet janë kallëzuar në SPAK nga Petro Gjikuria por nuk kemi asnjë veprim nga ana e SPAK. Kandidati i PS pohoi se ka shpërndarë mbi 1200 tituj pronësie dhe në sirtaret e Kadastrës janë edhe 600 të tilla për t’u shpërndarë. Çfarë mund të presë një organ drejtësie pas deklaratave të tilla publike. Në këto zgjedhje plot 6157 zgjedhës nga 23074 zgjedhës, pran mbi 25% u privohet e drejta kushtetuese e zgjedhjes me mosnxjerrjen e vendimit”- tha Dule.

Ndërsa theksoi pabarazinë në process, kreu i PBDNJ u shpreh se personave që votonin për PS u është rinovuar karta e ID brenda 24 orëve, ndryshe nga qytetarët e tjerë që kanë kërkuar të rinovojnë kartat.

“Kandidati i PS ka hyrë në këtë process me plus mbi 1 mijë vota krahasuar me ne. Kemi betejë mes Davidit dhe Goliathit. Lidhur me kartat e ID dhe pasaportat, kompania shtetërore e prodhimit të tyre ka marrë këto ditë me qindra kërkesa për rinovim por ka ndjekur politika selective duke u shndërruar në filal të PS. Militantë të PS shërbeheshin brenda 24 orëve, ndërsa ata që nuk ishin në radhët e militantëve u premtohej se do shërbeheshin komform ligjit brenda 14 ditëve të ardhshme”- shtoi ai.

Ndër të tjera, Dule deklaroi se e gjithë administrate e vendit ndodhet në Himarë dhe se persona me precedent penalë që janë subjekt i SPAK, kanë qenë të pranishëm në qendra votimi për t’u bërë presion qytetarëve.

“Në Himarë gjatë ditëve të fundit nuk është vetëm administrate e bashkisë por gjysma e këshillit të ministrave dhe administrata publike e vendit me qëllim që të ndikojnë votën e qytetarëve. Janë më shumë se pjesëmarrësit në votime. Është vënë re prania intensive e disa subjekteve të SPAK të cilët shfaqeshin në qendra votimi për të ushtruar presion mbi zgjedhësit në shoqëri të kryetarit të Konispolit dhe Vlorës. Policia nuk ka reaguar në asnjë rast ndaj individëve që ushtronin këtë veprimtari jashtë qendrave të votimit”- deklaroi Dule.

I pyetur pse pranoi të hynte në një proces në kushte të tilla, Dule tha se nuk donte t’i linte asnjë alibi kryeministrit Edi Rama për mospjesëmarrje në zgjedhje. Versus.al

Poll