POLITIKË /

Kuvendi voton për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Antikorrupsion, Basha: PD s’bëhet pjesë e lojërave të Ramës

Basha e cilësoi të gjithë rezolutën antikorrupsion të PS si "manovër elektorale".

Shkruar nga Versus
Kuvendi voton për ngritjen e Komisionit të Posaçëm
Kreu i PD, Lulzim Basha

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka folur për mediat para nisjes së seancës plenare ku pritet të votohet ngritja e komisionit të posaçëm për rezolutën antikorrupsion.

Basha e cilësoi nismën si “manovër elektorale” të Partisë Socialiste duke hedhur akuza për emra të paracaktuar të anëtarëve që pritet të jenë pjesë.

“Siç e paralajmërova është e qartë se nuk është gjë tjetër veçse një manovër elektorale. Një komision që nuk është komision, emrat janë përcaktuar, përpjekje për të larë manovrat e kësaj qeverie. Kjo mazhornacë s’ka interes të ndihmojë dhe forcojë SPAK, por po bën gjithçka për ta rrethuar, dobësuar, intimiduar. S’ka arsye për SPAK të ekzistojë nëse s’do kishim korrupsionin e Ramës”- tha Basha.

Më tej kryedemokrati la të kuptohet se Partia Demokratike nuk do votojë për ngritjen e komisionit të posaçëm ndërsa ftoi socialistët të votojnë amendamentet e propozuara prej tij për fuqizimin e SPAK.

“SPAK ka lindur si nevojë për shkak të korrupsionit të kësaj qeverie. Ne kemi bërë propozim konkret, votoni amendamentet për SPAK dhe jemi gati për të bashkuar votat për të votuar amendamentet që fuqizojnë SPAK. S’kanë vullnet për të luftuar korrupsionin. PD s’mund të jetë pjesë e lojërave të fjalës së Ramës”, shtoi Basha.

Poll