POLITIKË /

Buxheti 2026/ Rama: 1 miliard euro për Shëndetësinë! Për herë të parë hapim linjë financimi për luftën ndaj kancerit!

Një pjesë prej 15 milion eurosh do të shkojë për rimbursimin e barnave të pacientëve të Spitalit Onkologjik, duke hapur për herë të parë një linjë financimi ekskluzive për këtë nevojë jetike, ka bërë të ditur kryeministri Edi Rama në daljen e tij në rrjete sociale.

Shkruar nga Versus

Buxheti 2026/ Rama: 1 miliard euro për Shëndetësinë!

Buxheti i parashikuar për Shëndetësinë dhe Mirëqenien Sociale për vitin 2026 arrin 1 miliard euro dhe diskutimet në komisionet parlamentare do të nisin nga java e ardhshme.

Një pjesë prej 15 milion eurosh do të shkojë për rimbursimin e barnave të pacientëve të Spitalit Onkologjik, duke hapur për herë të parë një linjë financimi ekskluzive për këtë nevojë jetike, ka bërë të ditur kryeministri Edi Rama në daljen e tij në rrjete sociale.

Gjithashtu për herë të parë, vajzat dhe gratë që fitojnë betejën me kancerin e gjirit do të përfitojnë rikonstruksion të gjirit falas, duke u dhënë mbështetje konkrete pas luftës me sëmundjen.

“Mu duk e udhës të ndaj me ju pr.buxhetin 2026 me mbi 1 mld euro për shëndetësinë dhe mirëqenin social afro 4% e prodhimit të përgjithshëm kombëtar. Po ndalem te lufta me kancerin dhe nevoja për barnat e shtrenjta që kërkon kjo luftë. Për herë të parë hapim linjë financimi vetëm për këtë nevojë jetike, duke futur 15 mln euro ekstra në shërbim të pacientëve të Onkologjikut. Për herë të parë, shërbimi i rikonstruksionit të gjirit për gratë dhe vajzat që kalojnë kancerin do jepet i plotë për të gjitha dhe falas”.

Rama njoftoi gjithashtu se Ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala, e cila së fundmi u rendit ndër 100 gratë më me ndikim në mjekësinë botërore për çështjet e kancerit, do të udhëheqë projektin për ngritjen e Institutit Kombëtar të Tumoreve, që do të bashkohet me rrjetin ndërkombëtar të instituteve që luftojnë kancerin.

“Ministrja e Shëndetësisë e shpallur së fundmi ndër 100 gratë më influnete në mjekësinë botërore për çështjen e kancerit, do udhëheqë projektin kombëtar të ngritjes së institut kombëtar të tumoreve për Shqipërinë 2030, që do i bashkohet rrjet ndërkombëtar të instituteve që luftojnë me kancerin”, tha Rama.

Ndërsa renditi disa prej spitaleve të reja që do rikonstruktohen apo ndërtohen gjatë këtij mandati, shefi i qeverisë tha se synimi është që deri në 2030-ën asnjë strukturë shërbimi të mos jetë jashtë standardeve të Bashkimit Europian.

“Ndërkohë, 4600 mjekë, infermierë dhe farmacistë si dhe 14.200 teknikë dhe laborantë do të përfitojnë një rritje të re pagash. Çka është edhe një mesazh i qartë për gjeneratën e re të bluzave të bardha, se në Shqipëri qëndrohet dhe punohet me dinjitet dhe se Shqipëria 2030 do të bëhet vendi ku ikja do të jetë thjesht zgjedhje individuale, jo imponim nga pamundësia për të qëndruar dhe punuar këtu.

Me spitalin e ri të Korçës, urgjencën e Durrësit, spitalet bashkiake e të Matit e Tropojës dhe të tjera me radhë akoma, që do të vazhdojnë intensivisht edhe investimet në modernizimin e infrastrukturës spitalore. Me objektivin e qartë dhe të shpallur që në Shqipëri në 2030, asnjë strukturë e shërbimit shëndetësor të mos jetë jashtë standardeve të Bashkimit Europian”

Inteligjenca Artificiale do të integrohet edhe në sektorin e Shëndetësisë, përmes një kompanie që Rama thotë se shteti shqiptar po e krijon me një prej ekselencave të inteligjencës artificiale në shëndetësinë europiane.

“2026-a është edhe viti i hyrjes së inteligjencës artificiale në shërbimin tonë shëndetësor, përmes një kompanie të përbashkët që shteti shqiptar po krijon me një prej ekselencave të inteligjencës artificiale në shëndetësinë europiane, ndërkohë që me financimet e siguruara nga fondet evropiane, ne do të krijojmë ekosistemin digjital të gatshëm për inteligjencën artificiale duke hapur shtigjet e reja të diagnostikimit me imazhe, të analizave parashikuese dhe të ndërveprueshmërisë në rang kombëtar të sistemit shëndetësor digjital, në përputhje me agjendën digjitale të Bashkimit Europian"

Ndërkohë në 2026-ën pritet të nisë edhe partneriteti mes QSUT-së me spitalin prestigjioz San Raffaele të Milanos. /Versus.al

Tags:

edi rama

Poll