Pas përfundimit të mbledhjes së konferencës së kryetarëve, kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla foli për mediat duke u shprehur se duhet që opozita t’i sjellë sa më shpejt anëtarët e komisioneve parlamentare.
“Në aspektin procedurial komisioni quhet i konstituuar kur shumica është prezent. Edhe në ato komisione ku opozita e ka kryetarin, mbledhja mund të iniciohet me ¼ e anëtarëve, por shpresoj që opozita t’i sjellë sa më shpejt”- tha Balla.
Sa i takon mosparaqitjes së Bardhit në mbledhje duke qenë se është përjashtuar me 10 ditë nga Kuvendi, Balla tha se vendimi vlen për seancat plenare dhe komisionet, jo për aktivitetin tjetër në Kuvend.
“Deputeti mund të përjashtohet nga seanca, apo komisionet, por jo nga aktivitetet e tjera parlamentare përfshirë këtu mbledhjet e krerëve të grupeve parlamentare”- tha Balla.
Sa i takon kërkesës së opozitës për shkarkimin e Peleshit me argumentin se ka shkelur kushtetutën duke drejtuar seancën ku u votua pa debat qeveria e re socialiste.
“Edhe në legjislaturat e tjera ka patur kërkesa për shkarkimin e kryetarëve të Kuvendit. Sapo ka filluar edhe kjo legjislaturë, ka filluar me të njëjtën situatë, opozita vazhdon me të njëjtat huqe. Sot në konferencë u diskutua për këtë çështje edhe është bërë e qartë nga ana e kryeparlamentarit i cili menjëherë ka autorizuar edhe mbledhjen e këshillit të legjislacionit që i takon PD-së ta drejtojë. Ky këshill do të marrë kohën e vetë për të hartuar raportet dhe më pas t’i dërgojë në Kuvend për t’i votuar”- u shpreh kreu i grupit parlamentar socialist.
I pyetur nëse sjellja e mazhorancës është autoritare dhe pa ndarje pushtetesh, Balla tha se veprimtaria e tyre bazohet në rregulloren e Kuvendit. Versus.al







