Kryeministri Edi Rama ka folur mbi protestën e zhvilluar pak ditë më parë në Tragjas të Vlorës ku dhjetëra banorë u përplasën me forcat e policisë duke kundërshtuar punimet për ujësjellësin që do të dërgonte ujin e burimit të tyre në Dhërmi.
Rama e cilësoi “çmenduri” idenë se ky projekt lë pa ujë banorët e zonës dhe theksoi se plani për ndërtimin e ujësjellësit është konsultuar me disa ekspertë dhe nuk cënon aspak furnizimin me ujë të fshatit.
“Prurjet minimale janë 700 litër në sekondë. Nga i gjithë shfrytëzimi në maksimum që do i bëhet këtij burimi për shkak të ujësjellësit, është dy herë më i vogël sesa prurja minimale. Në të gjitha rastet ajo që mbetet e pashfrytëzuar nga sistemi i ujësjellësit ndërsa për ujin e pijshëm do plotësohen nevojat duke filluar nga vetë Tragjasi.
Tani si ta them unë, kjo është çështje teknike. Se më thonin hajde shihe me sy. Kjob ëhet me analiza teknike për investimet që duhen bërë. Të ishte hidrocentral do e kuptoja shqetësimin, por si mundet një ujësjellës të thajë duke u shfrytëzuar për nevoja të vaditjes?”- tha kryeministri.
Më tej në komunikimin “live” me ndjekësit, kreu i qeverisë bëri me dije se janë dërguar specialistët e nevojshëm për t’u shpjeguar banorëve se nuk dalin të dëmtuar nga ky projekt dhe se ujësjellësi aktual është i amortizuar.
“Duke qenë se ka pasur shqetësime, ky projekt është vonuar me muaj. Është kërkuar nga ana ime konfirmimi nga ekspertët dhe të gjithë dakordësohen në pikën ku thonë se nuk ka asnjë kërcënim. Është çmenduri, qenkam unë personi që dua t’u marr ujin tragjastiotëve dhe t’ua jap himariotëve po themi?! Është pa kuptim. Ky është burim i republikës së Shqipërisë dhe u vihet në shërbim komuniteteve të ndryshme. Tragjasiotët kanë të drejtën me ligj e me zakon të kenë aksesin dhe kjo nuk diskutohet. Gjithsesi kam dërguar specialistët të bëjnë një shpjegim shterues në Vlorë sepse shpjegimet nuk mund të bëhen me 200 veta që thonë ne do vritemi”- shtoi Rama. Versus.al







