
Kreu i Partisë “Mundësia”, Agron Shehaj foli për mediat pasi doli nga salla e Kuvendit ku seanca e parashikuar të ishte “maratonë” zgjati vetëm 20 minuta dhe PS votoi programin qeverisës pa debat.
Shehaj e cilësoi “provokim qesharak dhe tallës” momentin kur Rama kërkoi t’i jepej fjala ministres virtuale “Diella” e cila tha se ishte e lënduar që e kishin quajtur “antikushtetuese”.
Duke komentuar reagimin e opozitës që hodhi sende ndaj Ramës, Shehaj tha se arrinte ta kuptonte një gjë të tillë për shkak se poshtërimi i bërë nga Rama ishte shumë i shëmtuar, ndërkohë që qytetarët shqiptarë kanë totalisht probleme të tjera.
“Duhet të gjejmë një zgjidhje tjetër. Ju garantoj që të jesh në atë sallë dhe të provokohesh në atë mënyrë me shfaqje të shëmtuara, ndërkohë që problemet e njerëzve janë të tjera, nuk është e lehtë të mos reagosh. Dhe sfidoj këdo që ta provojë të jetë aty dhe të mos reagojë. Por ne duhet të gjejmë një zgjidhje, sepse ai është një ndër të paktët vende ku ne mund të flasim. Është shumë e vështirë të mos reagosh se ai ishte një provokim qesharak, tallës. Por duhet gjetur një zgjidhje tjetër”- tha Shehaj.
I pyetur për mundësinë e një bashkëveprimi mes partisë “Mundësia” dhe PD-së, Shehaj tha se nuk ka kontakte mes tyre, por theksoi se janë të përqendruar që ta zhvendosin debatin tek pikat që vërtet prekin qytetarët.
“Nuk kemi komunikime me PD-në, por jemi të përqendruar që të flasim për problemet e njerëzve dhe të shkëputemi nga debatet që nuk lidhen me shqetësimet e qytetarëve. Shpesh çfarë diskutohet në atë sallë nuk ka lidhje me atë që përjetojnë qytetarët çdo ditë”- u shpreh kreu i partisë “Mundësia”. Versus.al







